Banorët e Miradisë së Epërme ankohen për mungesë të energjisë elektrike mbi 20 orëshe


Banorët e fshatit Miradi e Epërme në Fushë Kosovë kanë ngritur shqetësime lidhur me mungesën e energjisë elektrike, duke bërë të ditur se kanë mbetur pa furnizim për më shumë se 20 orë.
Përmes një ankese të publikuar në grupin në Facebook "Vrojtuesit e Lagjes-Fushë Kosovë", një banor ka deklaruar se, pavarësisht kontakteve të vazhdueshme me KEDS-in gjatë gjithë ditës, banorët nuk kanë marrë informacione konkrete për kohën e rikthimit të energjisë elektrike.
"Banorët e fshatit Miradi e Epërme jemi pa energji elektrike prej më shumë se 20 orësh. Gjatë gjithë ditës kemi kontaktuar me KEDS-in, por përgjigjja e vetme që kemi marrë është se 'ekipa është duke punuar', pa na dhënë asnjë informacion apo afat se kur pritet të rregullohet prishja", thuhet në ankesën e publikuar.
Banorët kanë kërkuar nga kompania përgjegjëse për shpërndarjen e energjisë elektrike që të ofrojë informacione më të detajuara për situatën dhe të ndërmarrë veprime për zgjidhjen e problemit.
"Kërkojmë nga KEDS që të informojë banorët me një afat të përafërt për rikthimin e energjisë elektrike dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi", thuhet më tej në reagim. /Telegrafi/








































