LAJMI I FUNDIT:

Në Shkup hapet ekspozita, “Unë jam shqiptar”

Në Shkup hapet ekspozita, “Unë jam shqiptar”

Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë u hap dje ekspozita e titulluar “Unë jam shqiptar”, organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.

Ekspozita që ka për tematikë emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita e njëjtë më herët është paraqitur edhe në Tiranë e Prishtinë.


Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me pamjet e heroit kombëtar, Gjerg Kastriot Skënderbeut, kur edhe filluan valët e para të emigrimit të shqiptarëve. Ekspozita po ashtu përmban pamje të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, fotografi të arvanitasve dhe rilindësve shqiptarë.

Fotografia e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar me fotografi nga Sofja, Bukureshti, Kajro, Stambolli dhe Vjena.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e kulturës.

“Sot konstatoj me kënaqësi që kemi vënë gurthemelin e një bashkëpunimi të rëndësishëm, që do të konkretizohet dhe do të jetë drejtpërdrejt edhe me produkte të tjera kulturore”, tha Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë. /AA/