Në Gjilan përkujtohen dëshmorët Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani

Me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorëve Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani, në Gjilan janë zhvilluar homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre.
Homazhet janë mbajtur te Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Gjilan, ku morën pjesë përfaqësues komunalë, përfaqësues të subjekteve politike, bashkëpunëtorë, familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të luftës së UÇK-së, si dhe përfaqësues të OVL-UÇPMB-së.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se bashkë me bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës të tjerë kanë bërë homazhe në nderim të sakrificës së dëshmorëve.
“Në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Gjilan, së bashku me bashkëpunëtorë, familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të luftës së UÇK-së, bëmë homazhe në nderim të jetës dhe veprës heroike të Abdullah Tahirit, Ibrahim Pacollit dhe Arben Ramadanit”, ka deklaruar Hyseni.
Ai theksoi se sakrifica e dëshmorëve është themel i lirisë dhe se kujtimi për ta duhet të shërbejë si udhërrëfyes në forcimin e shtetit.
“Sakrifica dhe gjaku i dëshmorëve janë gurthemelet e lirisë tonë. Kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes në punën tonë të përditshme për forcimin e shtetit. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit”, tha kryetari Hyseni. /Telegrafi/
















































