Xhandarmëria e Kosovës drejt themelimit, MPB nis procedurat për krijimin e saj

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është ndërmarrë hapi i parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
Përmes një njoftimi publik, Sveçla bëri të ditur se ka nënshkruar themelimin e grupit punues që do të merret me analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e këtij institucioni të ri të sigurisë.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Sveçlës, krijimi i Xhandarmërisë përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe sovranitetit të vendit.
“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka thënë ai.
Ai shtoi se Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve shtetërore për përballimin e kërcënimeve të sigurisë.
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë”, përfundoi Sveçla. /Telegrafi/
















































