Albion Rrahmani është prezantuar sot zyrtarisht si futbollist i ri i Venezias.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës doli para mediave në Itali, ku foli për përshtypjet e para te skuadra e re, rolin e tij në fushë dhe objektivat që synon të arrijë në aventurën e tij të re.


Rrahmani u shpreh i kënaqur me atmosferën në ekip, duke theksuar se Venezia ka një grup të ri lojtarësh që po punojnë për t’u përmirësuar.

“Kam një ndjenjë të mirë. Jemi një ekip i ri me shumë lojtarë të rinj që po përpiqen të japin më të mirën në stërvitje dhe ndeshje. Le të vazhdojmë kështu dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në javët në vijim”.

Rrahmani, i cili gjatë kësaj vere u transferua nga Sparta e Pragës në kampionatin italian, foli edhe për pozicionin ku ndihet më mirë në fushë.

“Ndihem më rehat si numër nëntë, por jam në dispozicion të ekipit, duke luajtur kudo që dëshiron trajneri. Nëse luaj si numër nëntë, jam më afër golit, por nëse luaj më prapa, do ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të jetë e mundur në çdo kohë.”

Sulmuesi kosovar e konsideron transferimin në Itali si një mundësi të rëndësishme për të treguar vlerat e tij, ndërsa synon të ndihmojë Venezian për të arritur objektivat e sezonit.

“Gjithashtu, të qenit në Itali është shansi im për të shfaqur veten dhe futbollin tim, duke u përpjekur të shënoj dhe të jap asiste, për të ndihmuar Venecian të arrijë objektivat sezonale të ekipit. Sa për pjesën tjetër, do të përpiqem të jap më të mirën time për të vazhduar karrierën time ashtu siç kam bërë gjithmonë”.


Rrahmani është një prej sulmuesve kryesorë të Kosovës. Ai e nisi karrierën në elitën e futbollit kosovar me Malishevën dhe më pas u transferua te Ballkani, ku vazhdoi të konfirmonte potencialin e tij.

Paraqitjet e mira në Kosovë i siguruan transferimin te Rapidi i Bukureshtit, ndërsa më pas kaloi te Sparta e Pragës, ku luajti gjatë dy viteve të fundit.

Tani, Rrahmani ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, me synimin për të lënë gjurmë në futbollin italian me fanellën e Venezias. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

telegrafi sport app