Ish-aktori amerikan, Nathan Chasing Horse, është dënuar me të paktën 37 vjet burg për abuzim seksual ndaj grave dhe vajzave indigjene në ShBA.

49-vjeçari, i njohur për rolin e tij në filmin “Dances With Wolves”, u shpall fajtor për 13 akuza, kryesisht të lidhura me abuzime ndaj tre viktimave, ku njëra prej tyre ishte vetëm 14 vjeçe kur kishte nisur abuzimi.


Sipas gjykatës në Nevada, ai kishte shfrytëzuar rolin e tij si figurë shpirtërore për komunitetet indigjene, duke i manipuluar viktimat që i besonin si udhëheqës fetar dhe mjekësor.

Nathan Chasing Horse

Dëshmitaret dhe familjarët kanë deklaruar se ai i ka përdorur ceremonitë shpirtërore për t’iu afruar viktimave dhe për t’i abuzuar, duke krijuar një “rrjet abuzimi” që ka zgjatur për gati 20 vite.

Një nga viktimat, e cila doli publikisht, ka rrëfyer se i është shkatërruar fëmijëria dhe jeta, duke thënë se nuk mund të rikthejë humbjen e viteve të rinisë dhe përvojave të para të jetës.

Gjykatësi theksoi se ai ka shfrytëzuar besimin dhe spiritualitetin e grave për përfitime personale, ndërsa prokuroria e përshkroi rastin si një skemë të gjatë abuzimi dhe manipulimi.

Nathan Chasing Horse ka mohuar akuzat, por pas vendimit të gjykatës do të ketë të drejtë për lirim me kusht vetëm pas vuajtjes së 37 viteve burg. /Telegrafi/