Profil mashtrues me emrin e tij në WhatsApp, reagon Faton Peci: Mos bini pre e mashtrimeve

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka alarmuar qytetarët për një rast të keqpërdorimit të emrit dhe imazhit të tij përmes aplikacionit të komunikimit WhatsApp.
Përmes një reagimi në rrjetet e tij sociale, Peci ka bërë të ditur se një numër i huaj telefoni po përdor emrin dhe foton e tij për të zhvilluar biseda me përmbajtje të dëmshme.
"Tani kuptova se ditëve të fundit ky numër telefoni në WhatsApp qenka duke keqpërdorur emrin tim me biseda inkriminuese dhe diskredituese", ka shkruar Peci.
Peci ka publikuar edhe pamjen e profilit mashtrues, i cili figuron me emrin "Faton.p" dhe mban prefiksin e Maqedonisë së Veriut (+389).
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e këtyre tentimeve për manipulim nëse kontaktohen nga ky numër apo llogari të ngjashme.
"Ju lutem, kushdo që kontakton me ju në emrin tim, mos bini pre e mashtrimeve", ka theksuar Peci. /Telegrafi/















































