Kalidou Koulibaly prej kohësh kërkohet nga skuadrat më të mëdha evropiane.

Mbrojtësi qendror i Napolit ka shfaqur formë të mirë ndër vite dhe ka qenë ndër lojtarët defensivë më të vlerësuar në Evropë.

Problemi gjithmonë ka qenë tek çmimi i kërkuar nga Napoli, pasi skuadra italiane nuk lejonte largimin e tij për më pak se 100 milionë euro.

29-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2023 me Napolin dhe klubi italian tanimë është pajtuar ta ulë çmimin për të.

Mediat italiane tani kanë raportuar se napolitanët po kërkojnë 45 milionë euro për ta lënë të lirë yllin e tyre.

Kjo shumë është e arritshme për skuadrat e interesuara për lojtarin si Liverpool, Manchester City, Manchester United, Bayern Munich e Paris Saint Germain.

Por sipas mediave në Itali, kampioni në fuqi i Gjermanisë dhe Evropës, Bayern Munich po shihet si favoriti për ta transferuar senegalezin.

Bavarezët kanë zhvilluar tanimë kontaktet e para me Napolin dhe Koulibaly me shumë gjasë do të transferohet në Allianz Arena gjatë afatit kalimtar veror. /Telegrafi/