Muriqi do të rikthehet në Turqi, Mallorca arrin marrëveshje me kandidatin për president të Fenerit

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet në futbollin turk gjatë kësaj vere.
Sipas gazetarit të njohur turk Yagiz Sabuncuoglu, kandidati për president të Fenerbahçes, Aziz Yildirim, ka arritur marrëveshje me Real Mallorcan dhe me vetë futbollistin për transferimin e tij.
Raportohet se Muriqi ka pranuar një kontratë deri në verën e vitit 2029, por gjithçka varet nga zgjedhjet presidenciale që do të mbahen këtë fundjavë te gjiganti turk. Në rast se Yildirim nuk fiton, marrëveshja mund të mos realizohet.
Fillimisht, Mallorca kishte vendosur një çmim prej 18 milionë eurosh për "Piratin", por sipas mediave turke, vetë Muriqi i ka kërkuar drejtorit sportiv Pablo Ortells që të lehtësojë largimin e tij duke ulur kërkesat financiare.

Përfaqësuesit e Aziz Yildirim kanë udhëtuar drejt Palma de Mallorcas për të finalizuar detajet e transferimit, ndërsa rivali i tij në garën për president, Hakan Safi, po ashtu ka premtuar transferime të mëdha në fushatën e tij.
Një detaj interesant është se Real Mallorca zotëron 100% të kartonit të Muriqit, por ish-klubi i tij, Lazio, përfiton 45% nga çdo shitje e ardhshme e sulmuesit kosovar.
Mallorca e bleu Muriqin për rreth 8 milionë euro, ndërsa tani synon ta shesë për 18 milionë euro.
Mbetet të shihet nëse zgjedhjet te Fenerbahçe do t'i hapin rrugën rikthimit të Vedat Muriqit në futbollin turk. /Telegrafi/



































