LAJMI I FUNDIT:

Muja lavdërohet për qarkullimin e bizneseve, i reagon Bajrami

Muja lavdërohet për qarkullimin e bizneseve, i reagon Bajrami

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se qarkullimi i bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2023 është rritur për mbi 60 për qind krahasuar me 2020-tën.

Duke i cituar të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Muja ka deklaruar se bizneset kanë raportuar qarkullim vjetor të vitit 2023 rreth 20 miliardë euro.


“rritje kjo prej 66.5 për qind krahasuar me vitin 2020. Tendenca e re është që deri në fund të mandatit të Qeverisë Kurti II qarkullimi i bizneseve do jetë dyfishi në terma absolut krahasuar me vitin 2020”, ka shkruar deputeti i LVV-së në Facebook.

Sipas tij, ngjashëm kontributi i bizneseve në kuadër të tatimit në të ardhura të korporatave është dyfishuar nga 85.3 milionë sa ishte në vitin 2020 në 183.8 milionë në vitin 2023.

“Rend e ligj, tatime tek shteti, e shteti shërbime për biznesin”, ka shtuar Muja.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se Muja po bën krahasime me vitin e pandemisë “kur Kryeministri Kurti i pat mbyllur bizneset me vendim të Qeverisë për disa muaj”.

“Të jemi të qartë kjo Qeveri nuk e ka bërë as një veprim që do të ndikonte në rritjen e qarkullimit të bizneseve, përpos që e ka dyfishu tatimin në pronë. Qarkullimin në sektorin privat e ka rritë inflacioni (rritja e çmimeve) 11.6% në vitin 2022 dhe 4.9% në vitin 2023, që në kumulativ i bie çdo produkt është me i shtrejtë sot për 17% në mesatare e produkteve bazë të konsumit pothuaj u është dyfishu çmimi”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo ka shtuar se këtë më se miri e dëshmojnë të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës, të dhënat e publikuara nga Instiuti GAP – rritja e kredive konsumuese prej 375 milionë euro sa ishte në vitin 2020 është rritur në 608 milionë euro në vitin 2023 apo 62% dhe rritje e mbitërheqjeve (overdraftit) nga 143 milionë euro në vitin 2020 ka shkuar në 471 milionë euro në vitin 2023 apo 229% rritje.

“Dmth. sot qytetarët marrin borxh (kredi & overdraft) për t’i përballu shpenzimet e tyre ditore. Realiteti jashtë grafeve të Armend Mujes është që sot jeta e qytetarëve është më e rëndë për shkak të paaftësisë së kësaj Qeverie”.

“Pres që grafet e ardhshme Armend Mujes me qenë për inflacionin 2020-2023 dhe çmimet e energjisë elektrike 2020-2023. PS. Shihni grafet e publikuara jo nga Armendi, por nga Instituti GAP”, ka përfunduar deputetja. /Telegrafi/