LAJMI I FUNDIT:

MPPS Maqedoni: Me politika ekonomike përmirësojmë jetën e të moshuarve

MPPS Maqedoni: Me politika ekonomike përmirësojmë jetën e të moshuarve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska ishte pjesëmarrëse në panelin e diskutimit të organizuar nga Qeveria e Bullgarisë dhe Zyra rajonale e Fondit për popullatë të KB-së (UNFPA).

Trençevska tha se ministria e saj dedikon një prioritet të veçante për personat e moshuar.


“Si Qeveri dhe Ministri, kujdesi për kategorinë e qytetarëve më të moshuar është prioriteti dhe përgjegjësia jonë. Kjo reflektohet përmes miratimit të vendimeve të reja ligjore, masave dhe shërbimeve sociale me të cilat kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të moshuar”, theksoi ministrja, Jovanka Trençevska.

Diskutimi ishte në temën “Përforcimi i rezistencës demografike përmes shfrytëzimit të mundësive nga plakja e popullatës”, ndërsa pjesëmarrja e ministres ishte në suaza të konferencës dyditore ministrore në Romë, Itali, në organizim të ENECE-së, Grupit të përhershëm të punës të UNECE-së dhe Qeverisë së Italisë.

Në paraqitjen e saj, ministrja foli për politikat sociale dhe ekonomike të cilat i realizoi shteti, ndërkaq kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të moshuar.

Në atë drejtim, Trençevska i theksoi ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, me të cilat u vendos metodologji e re e harmonizimit të pensionit përmes modelit të kombinuar prej 50 për qind rritje të rrogës mesatare dhe 50 për qind rritje të shpenzimeve për jetë.

Ministrja foli edhe për procesin e decentralizimit përmes të cilit shërbimet sociale iu afrohen qytetarëve në vendin e tyre të banimit. Me theks të posaçëm tek personat e moshuar dhe të pamundur dhe personat të cilët nuk mund të kujdesen për veten e tyre, me ç’rast është siguruar ndihmë dhe mbështetje në obligimet e përditshme, rreth mirëmbajtjes së amvisërisë, ndihmës në higjienë personale dhe kujdes mjekësor nga ana e përkujdesësve.

“Në kuadër të Projektit për përmirësim të shërbimeve sociale, financuar me kredi nga Banka botërore, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me konkursin e parë publik prej vitit 2019 drejtuar komunave për aplikim për grant për zhvillim të shërbimeve sociale ka arritur marrëveshje me 22 komuna dhe 15 ofrues të shërbimeve për 22 nën-projekte prej të cilave 16 janë të kahëzuara drejt zhvillimit të shërbimeve sociale për persona të moshuar dhe atë 15 për shërbimin ndihmë dhe kujdes në shtëpi dhe 1 për shërbimin qëndrim ditor me plakje aktive”, informoi Trençevska.

Ajo theksoi se në bashkëpunim me UNFPA-në, Ministria është në proces të planifikimit të fazës së re të masave me të cilat do të adresohen sfidat demografike dhe do të përforcohen kapacitetet e institucioneve të sjellin masa dhe politika me të cilat do të vazhdohet qasja drejt të drejtave dhe shërbimeve cilësore për qytetarët e të gjitha moshave.