Zjarri i madh që shpërtheu dy ditë më parë në Tiranë, duke përfshirë një pallat 12-katësh, ka prekur edhe figura të njohura të ekranit shqiptar.

Mes tyre është edhe ish-banorja e Ferma VIP, modelja Gloria Meshi, e cila ka humbur banesën e saj në këtë ngjarje të rëndë, që dyshohet se ka nisur nga ambientet e jashtme të një supermarketi në katet e poshtme të apartamentit.


Përmes disa postimeve në Instagram, Gloria ka ndarë tronditjen e përjetuar, duke vënë në dukje edhe rrezikun e madh me të cilin janë përballur ekipet e emergjencës.

Foto: Instagram

Ajo ka theksuar se zjarrfikësit dhe policia kanë punuar në kushte tejet të vështira, duke rrezikuar jetën për të përballuar flakët.

Sipas saj, në vendngjarje ka parë edhe raste kur disa zjarrfikës janë asfiksuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa intensiteti i zjarrit ka qenë aq i madh sa ka dëmtuar pajisjet e tyre mbrojtëse.

Në postim, modelja ka bërë thirrje për më shumë vlerësim dhe respekt ndaj forcave të emergjencës, duke i cilësuar ata si heronj të vërtetë.

Në një tjetër postim, Gloria ka sqaruar se ajo dhe familjarët e saj janë mirë dhe nuk kanë pësuar lëndime fizike, megjithëse dëmet materiale në apartament janë të mëdha.

Foto: Instagram

Për këtë arsye, ka bërë të ditur se do të tërhiqet përkohësisht nga aktiviteti në rrjetet sociale, me përjashtim të disa bashkëpunimeve të planifikuara më herët.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti. /Telegrafi/