eksperti-banner

Momente shqetësuese janë regjistruar në ndeshjen miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, teksa futbollisti danez Christian Eriksen riktheu në kujtesë skenat e frikshme të Euro 2020.

Ngjarja ndodhi në pjesën e dytë të takimit, kur Eriksen humbi ndjenjat dhe u rrëzua në fushën e lojës, duke shkaktuar panik te lojtarët, stafet dhe tifozët e pranishëm.


Futbollisti mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, ndërsa pak minuta më vonë u përmend dhe u largua drejt spitalit me ambulancë. Sipas raportimeve, ai ishte në gjendje të ecte vetë deri te automjeti mjekësor.

Pas incidentit, ndeshja u ndërpre dhe më pas u braktis me mirëkuptimin e të dyja skuadrave dhe tifozëve të pranishëm në stadium.

Më vonë, mjeku i përfaqësueses daneze, Morton Boesen, dha detaje rreth gjendjes së futbollistit.

“Kristian është mirë dhe u largua nga fusha me këmbët e tij. Siç e shoh unë, defibrilatori që ka në zemër funksionoi siç duhet".

"Ai ishte pa ndjenja për një periudhë të shkurtër, por u përmend shumë shpejt dhe menjëherë arritëm të komunikonim me të".

"Tani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme në spital për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe me mjekët që po kujdesen për të. Kristian është mirë dhe më kërkoi t’i përshëndes të gjithë lojtarët dhe t’u them se është në rregull”, deklaroi Boesen.

Lajmi ka sjellë lehtësim te tifozët e futbollit në mbarë botën, të cilët u alarmuan menjëherë pas pamjeve të transmetuara nga stadiumi. /Telegrafi/

telegrafi sport app