Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara t’i shesin Ukrainës 5 për qind të rezervave amerikane të raketave për sistemet Patriot, duke thënë se kjo sasi do të ishte vendimtare për mbijetesën e vendit gjatë dimrit.

Sipas tij, nëse SHBA-ja do të siguronte 10 për qind të rezervave, Ukraina do të mund t’i ndalonte të gjitha raketat balistike ruse.


Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se Ukraina këtë vit ka 2.5 herë më pak interceptorë sesa kishte në vitin 2025, ndërsa Rusia, sipas tij, po lëshon çdo muaj dy herë më shumë raketa balistike se më parë.

Zelensky explains Ukraine’s ballistic missile interceptor shortage www.youtube.com

Ka ardhur edhe reagimi i parë i Shtëpisë së Bardhë, ku Karoline Leawitt, gjatë një bisede me gazetarët foli për dërgimin e armëve jashtë vendit dhe tha se presidenti amerikan, Donald Trump ka qenë i qartë për këtë çështje.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë lidhur me qëndrimin tonë për municionet. Fatkeqësisht, në mënyrë tragjike, presidenti Joe Biden i dha shumë municione Ukrainës dhe vendeve të tjera në mbarë botën. Presidenti, që nga dita e parë, është përqendruar në rindërtimin e arsenalit tonë. Për më tepër, ndryshe nga shumica e raportimeve në media, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se mjaftueshëm municione të magazinuara këtu në vend dhe në mbarë botën për të realizuar çdo mision që miraton komandanti i përgjithshëm”, deklaroi Leavitt.

Ajo përsëriti gjithashtu se Trump po bën një punë shumë më të mirë se Biden në këtë drejtim.

“Është e qartë se ky president ka qenë shumë më i matur se paraardhësi i tij sa i përket dërgimit të municioneve tona jashtë vendit, në shtete të tjera. Ai dëshiron të rindërtojë bazën tonë këtu në vend dhe ushtria po punon për këtë. E di se sekretari Hegseth e ka vendosur këtë si një prioritet të madh”, tha Leavitt. /Telegrafi/