Tërmet i fuqishëm godet Indonezinë - të paktën 20 të vdekur, shemben një numër i madh ndërtesash

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë sipas shkallës Rihter goditi herët të shtunën zonën pranë brigjeve të ishullit indonezian Flores, duke shembur ndërtesa dhe shtëpi dhe duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave.
Autoritetet indoneziane lëshuan pas tërmetit një paralajmërim për cunami dhe u bënë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të larta.
Paralajmërimi u hoq më vonë, pasi monitorimi nuk tregoi ndryshime të konsiderueshme të nivelit të detit që do të rrezikonin komunitetet bregdetare.
Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), epiqendra e tërmetit ishte 68 kilometra në veri-veriperëndim të qytetit Ende, në provincën Nusa Tenggara Lindore, në një thellësi prej 10 kilometrash. Tërmeti u regjistrua në orën 05:58 sipas kohës lokale, ndërsa pas tij u shënuan edhe disa lëkundje të tjera.
Shefi i Policisë së Nusa Tenggarës Lindore, Rudi Darmoko, tha se raportet paraprake flasin për dy viktima në rajonin Sikka dhe tre në rajonin Manggarai, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha dhe disa objekte janë shembur, shkruan reuters.
“Ne po vazhdojmë të mbledhim të dhëna për dëmet dhe viktimat, por ka ndërprerje të komunikimit”, tha Darmoko.
Ndërprerjet e energjisë elektrike në qytete dhe fshatra e kanë ngadalësuar më tej qarkullimin e informacionit dhe kanë vështirësuar operacionet e kërkim-shpëtimit.
Televizionet lokale transmetuan pamje të evakuimit të pacientëve nga disa spitale, ndërsa personeli mjekësor nxirrte jashtë shtretërit, mbajtëset e infuzioneve dhe bombolat e oksigjenit, duke ngritur pika të përkohshme për trajtim në ambiente të hapura.
Tërmeti u ndje në pjesën më të madhe të Floresit, ndërsa informacionet e para flasin për dëme të rënda.
Banorja e rajonit Sikka, Yohanna Embu, tha se lëkundjet e fuqishme dëmtuan disa ndërtesa dhe shkaktuan panik te njerëzit, të cilët u larguan drejt zonave më të larta.
Në Flores u shemb gjithashtu çatia e sallës së seminarit St. Peter Major Seminary, në momentin kur po mbahej mesha e mëngjesit. Të paktën një prift theu këmbën pasi u hodh nga kati i dytë.
Indonezia, një arkipelag me më shumë se 17 mijë ishuj, goditet shpesh nga tërmete dhe aktivitet vullkanik për shkak të pozicionit të saj në Unazën e Zjarrit të Paqësorit. /Telegrafi/








































