Messi, Maradona apo Pele? Renditja e 10 legjendave më të mira të Kupës së Botës


Përzgjedhja e futbollistëve më të mëdhenj në historinë e Kupës së Botës është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë. Në 22 edicione të turneut më prestigjioz të futbollit, qindra yje kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke fituar trofe, thyer rekorde dhe krijuar momente që kanë hyrë përgjithmonë në histori.
Shumë emra legjendarë si Miroslav Klose, Garrincha, Roberto Baggio, Johan Cruyff, Eusebio, Gerd Muller apo Just Fontaine mbeten jashtë kësaj liste, çka tregon nivelin e lartë të konkurrencës.
Megjithatë, këta 10 futbollistë konsiderohen si ikonat që kanë ndikuar më së shumti në historinë e Kupës së Botës, falë paraqitjeve të tyre të jashtëzakonshme dhe trashëgimisë që kanë lënë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
10. Sir Geoff Hurst (Angli)

Heroi i finales së vitit 1966, Hurst mbetet lojtari i vetëm që ka shënuar hat-trick në një finale të Kupës së Botës. Falë tre golave të tij kundër Gjermanisë Perëndimore, Anglia fitoi titullin e saj të vetëm botëror.
9. Cafu (Brazil)

Legjenda braziliane është i vetmi futbollist që ka luajtur në tri finale radhazi të Kupës së Botës. Ai fitoi trofeun në vitet 1994 dhe 2002, ndërsa në vitin 2002 e ngriti kupën si kapiten i Brazilit.
8. Paolo Rossi (Itali)

Rossi ishte protagonisti absolut i Botërorit 1982. Ai shënoi gjashtë gola, përfshirë het-trikun ndaj Brazilit dhe një gol në finale, duke udhëhequr Italinë drejt titullit botëror.
7. Zinedine Zidane (Francë)

Një nga mesfushorët më të mëdhenj të historisë. Zidane ishte lideri i Francës në triumfin e vitit 1998, duke realizuar dy gola në finalen kundër Brazilit dhe duke hyrë përgjithmonë në historinë e turneut.
6. Kylian Mbappe (Francë)

Edhe pse ende në kulmin e karrierës, Mbappe tashmë ka siguruar vendin mes legjendave. Ai fitoi Botërorin në vitin 2018 dhe shënoi hat-trick në finalen e vitit 2022, një arritje e rrallë në historinë e futbollit.
5. Franz Beckenbauer (Gjermani Perëndimore)

“Der Kaiser” udhëhoqi Gjermaninë Perëndimore drejt titullit botëror në vitin 1974 si kapiten. Më pas e fitoi trofeun edhe si trajner në vitin 1990, duke hyrë në një grup shumë të vogël fituesish në të dy rolet.
4. Lionel Messi (Argjentinë)

Pas shumë tentativash, Messi realizoi ëndrrën e tij në vitin 2022. Me shtatë gola dhe paraqitje vendimtare gjatë gjithë turneut, ai udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të tretë botëror.
3. Ronaldo (Brazil)

“Fenomeni” është një nga sulmuesit më të frikshëm që ka parë futbolli. Pas zhgënjimit në vitin 1998, ai u rikthye fuqishëm në vitin 2002 me tetë gola, duke i dhënë Brazilit titullin e pestë botëror.
2. Diego Maradona (Argjentinë)

Botërori i vitit 1986 konsiderohet kryevepra e Maradonës. Ai udhëhoqi Argjentinën drejt trofeut me paraqitje magjike, ndërsa golat e tij ndaj Anglisë mbeten ndër momentet më të famshme në historinë e futbollit.
1. Pele (Brazil)

Në krye të listës qëndron Pele, i vetmi futbollist që ka fituar tri Kupa Bote. Legjenda braziliane triumfoi në vitet 1958, 1962 dhe 1970, duke u bërë simboli më i madh i historisë së këtij sporti.
/Telegrafi/





































