Messi e “përfundoi futbollin” në vitin 2022 – çfarë e shtyn ende të luajë?

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, e përfshiu të enjten Lionel Messin në listën për Kupën e Botës 2026, edhe pse kapiteni i “Albiceleste” nuk është “plotësisht i gatshëm”. Në fakt, asnjëra prej këtyre nuk është ndonjë surprizë e madhe: Messi pritej të ishte pjesë e mbrojtjes së titullit, po aq sa ishte e pritshme që, në këtë fazë të karrierës, të mos ishte në gjendjen optimale fizike.
Messi është 38 vjeç dhe do t’i mbushë 39 më vonë gjatë këtij muaji. Inter Miami ka bërë të ditur se ai aktualisht po vuan nga “mbingarkesë e lidhur me lodhje muskulore në kërdhokullën e majtë” – një muskul që, pas më shumë se dy dekadash në nivelin më të lartë, ka qenë vazhdimisht nën ngarkesë.
Kjo e bën të arsyeshme pyetjen: pse Messi vazhdon ta shtyjë trupin në limit, në një kohë kur shumica e futbollistëve tashmë janë pensionuar? Ai nuk ka më asgjë për të provuar – as për të fituar.
Në vitin 2022, ai e fitoi Kupën e Botës në Katar dhe, për shumëkënd, “e mbylli debatin” e më të madhit të të gjitha kohërave.
Atëherë, çfarë mund të fitojë Messi nga pjesëmarrja në një Botëror të gjashtë? Apo thjesht tani është aq i sigurt në statusin e tij sa mendon se nuk ka asgjë për të humbur?

Ëndrra e realizuar – por jo fundi
Shumica e lojtarëve nuk e zgjedhin vetë se kur përfundon karriera e tyre ndërkombëtare. Zakonisht e vendos trajneri, ose e vendos një dëmtim. Edhe ata që e kanë luksin të vendosin vetë, rrallëherë largohen në kulm.
Te Messi, mundësia ishte aty, të tërhiqej në momentin më të lartë të mundshëm, menjëherë pas fitimit të Kupës së Botës. Trofeu kishte qenë objektivi i tij kryesor dhe për vite me radhë fakti që nuk kishte arritur ta fitojë ishte përdorur kundër tij – sikur kjo t’ia zbehte gjithë periudhën e jashtëzakonshme të dominimit në futboll.
Madje, pas eliminimit në 1/8 e finales në Botërorin 2018 në Rusi, dukej sikur ëndrra e fëmijërisë po shuhej. Por në Katar, Messi e ktheu gjithçka në realitet – dhe në rrethana thuajse të pabesueshme.

Gjeni “surreal” në Katar
Ajo që Messi bëri në vitin 2022 sfidoi logjikën sportive. Ishte 35 vjeç, por i “silluni rrotull” lojtarëve 15 vite më të rinj, si Josko Gvardiol, i cili pas gjysmëfinales u shpreh se ishte më shumë i nderuar sesa i turpëruar.
“Nesër do t’u them fëmijëve se e kam markuar Messin për 90 minuta”, tha kroati pas humbjes në Lusail.
Nuk ishte i vetmi që e përjetoi kështu. Mesfushori australian Keanu Baccus e përshkroi ndjesinë në mënyrë të pazakontë: “Në fushë duket sikur është i rremë. Është surreal sa i mirë është”.
E gjitha kjo u bë edhe më e jashtëzakonshme sepse ndodhi nën presion ekstrem. Argjentina shkoi në Katar me 36 ndeshje pa humbje, por u trondit në start nga disfata ndaj Arabisë Saudite, duke e vënë ekipin në prag eliminimi të turpshëm – dhe duke rihapur edhe një herë diskutimet mbi liderin dhe kapitenin Messi.

“Hollywood” deri në fund… dhe prapë vazhdon
Kur Argjentina kishte më së shumti nevojë, Messi u përgjigj. Ai shënoi golin vendimtar ndaj Meksikës dhe më pas u bë lojtari i parë që shënonte në fazën e grupeve, në 1/8, çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale – teksa Argjentina fitoi titullin e parë botëror që nga viti 1986.
Pas turneut, Messi e kishte një “fund të përsosur”: pesë çmime “Lojtari i ndeshjes” në tetë takime dhe trofeu që i mungonte. Ai vetë e përshkroi momentin me emocione të forta, duke thënë se e kishte arritur gjithçka dhe se “nuk mund të kërkonte më asgjë tjetër”.
Por, ndryshe nga skenari klasik i largimit në perëndim të diellit, Messi vendosi të mos e mbyllë aty.
Tash, me Botërorin 2026 në horizont dhe me trupin që po i dërgon sinjale lodhjeje, pyetja mbetet e hapur: a është kjo thjesht dëshira për ta mbrojtur kurorën, apo një kapitull i fundit i një legjende që ende nuk e sheh veten të ndalur? /Telegrafi/


































