LAJMI I FUNDIT:

Mesazhe prekëse nga viktima e Srebrenicës: Pamje nga koha e tmerrit me ata që nuk janë më (Video)

Mesazhe prekëse nga viktima e Srebrenicës: Pamje nga koha e tmerrit me ata që nuk janë më (Video)

Filmimet e realizuara nga një burrë nga Srebrenica, i quajtur Velid Deliq, i cili u vra në masakrat e vitit 1995, tregojnë jetën në qytet gjatë viteve të luftës – me mesazhe prekëse nga njerëz që nuk mbijetuan kurrë.

“Ç’kemi, Eda, Adin, Belma! Ju duam shumë të gjithëve. Na mungoni shumë,” thotë një burrë me një foshnjë në krahë, teksa përshëndet me dorë kamerën.


“Eki, na dërgo ca marka gjermane, plako,” thonë duke bërë shaka para kamerës dy shokët.

“I përshëndesim të gjithë ata që mund të na shohin,” thotë një grua jo shumë e moshuar. Ajo është gati të vazhdojë fjalinë, por ndalon që të fshijë lotët nga fytyra.

“Mendoj se kjo kasetë do të mbërrijë në Danimarkë dhe Gjermani, nëpërmjet miqve tanë, suedezëve… në mënyrë që njerëzit tanë ta shohin këtë atje. Jam i bindur se kjo do të udhëtojë në të gjithë botën,” i thotë asaj burri që mban kamerën.

Kameramani ishte Velid Deliq nga Srebrenica, i cili vdiq në vitin 1995. Eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë.

Deliqit pëlqente të filmonte dhe gjente mënyra për të dërguar mesazhet e filmuara në tokat e largëta ku të afërmit dhe fqinjët e tij kishin shkuar për t’i shpëtuar luftës në Bosnjë në vitet 1992-1995.

Ai regjistroi qytetin e rrethuar të Srebrenicës nga viti 1992 deri kur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga i pandehuri për krime lufte Ratko Mlladiç, u larguan më 11 korrik 1995.

Banorët e qytetit hynë në bazën e paqeruajtësve të OKB-së për të kërkuar mbrojtje nga “helmetat blu” të Holandës – të cilët panë sesi trupat e Mlladiçit ndanin burrat veçmas grave që më pas t’i ekzekutonin.

Masakra, që gjykatat ndërkombëtare vendosën se ishte një akt gjenocidi, mori jetët e rreth 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë, eshtrat e të cilëve u fshehën në disa varre masive në zonë.

Ekspertët mjeko-ligjorë vazhdojnë të gjejnë eshtra të përziera dhe të identifikojnë viktimat nëpërmjet ADN-së në mënyrë që ata të kenë një varrim të denjë në qendrën përkujtimore në Potocari, pranë Srebrenicës, çdo vit më 11 korrik.

Këtë vit, 70 viktima të sapo identifikuar do t’i bashkohen me mijëra të tjerëve tashmë të varrosur më parë, por përsëri, Velid Deliq dhe babai i tij Suljo, nuk do të jenë ndër ta.

Por regjistrimet mbeten.

Në to janë fjalët e fundit të shumë boshnjakëve që u arratisën nga Srebrenica vetëm për të gjetur vdekjen në ditët e mëvonshme.

“Ato filmime ishin gjithçka për ne,” tha për BIRN motra e Deliqit, Nermina Lakota, e cila ishte një refugjate në Gjermani në atë kohë.

Filmimet na tregonin gjithashtu jetën e përditshme në Srebrenicë në periudhën para mizorisë më të keqe në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Vite më vonë, producenti i njohur nga Sarajeva Haris Proliç përpunoi inserte me ato dhe i bëri një dokumentar të titulluar “Cenotafi i Srebrenicës – Filmimi i fundit i Velidit”.

“Ne jemi shumë mirë”

Velid Deliq dhe motra e tij punonin në një fabrikë vendase kur forcat serbe të Bosnjës rrethuan për herë të parë në qytetin e Srebrenicës në vitin 1992.

“Unë dhe vëllai tjetër Reufi kishim familje kur filloi lufta, kishim fëmijë të vegjël. Velidi dhe babai im thanë se duhet të iknim dhe të largonim fëmijët, sepse nuk e dinim se çfarë po ndodhte,” kujton Lakota.

Ajo u strehua në fillim në Slloveni, ndërsa vëllai i saj në fillim ndenji me një mik në Serbi “derisa u bë shumë e rrezikshme për të që të vazhdonte të qëndronte atje”.

Lakota më vonë shkoi në Gjermani, ndërsa vëllai i saj përfundoi në Danimarkë.

Velid Deliq s’ishte martuar kurrë dhe vendosi që qëndronte me prindërit e tij në Srebrenicë.

“Nuk e di nga e gjeti kamerën, por mendoj se një nga ata të huajt, ndoshta gazetarë, ose ndoshta anëtarë të UNPROFOR-it (Forca Mbrojtëse e Kombeve të Bashkuara), ia dhanë atij,” tha Lakota.

Deliqi i dërgonte kasetat jashtë shtetit nëpërmjet anëtarëve të UNPROFOR-it të cilët e kishin përfunduar shërbimin e tyre.

“Jemi të gjithë në shtëpi dhe jemi shumë mirë dhe me shëndet. Babai, mamaja dhe unë. Ju duam shumë dhe ju përshëndesim,” Deliq thotë në kamera në një regjistrim të bërë më 14 shkurt 1994.

“E kam të vështirë të flas për Velidin,” tha Lakota me zërin që i dridhej.

Ajo ndaloi, psherëtiu dhe vazhdoi.

“Ai ishte një njeri trupmadh. Ishte shumë i aftë dhe i talentuar për çdo gjë që provonte. Ai mori medalje të artë në polici për kurajën e tij,” tha ajo.

Duke gjykuar nga xhirimet që ai ka bërë, Deliq duket të ketë qenë shumë i njohur në qytet. Një regjistrim që mban datën 15 dhjetor 1993, tregon vendasit që e përshëndesin dhe bëjnë shaka me të në rrugë.

Në një skenë tjetër, ai filmon një gjenerator me ujë të bërë vetë që disa fqinjë e kishin ndërtuar vetë nga e para për të prodhuar energji elektrike, e cila mungonte në qytet për shumicën e kohës së luftës.

“Më filmo mua! Më filmo mua!” i bërtasin një grup me djem të vegjël të emocionuar zotërisë me kamera, ndërsa luajnë në mes të rrënojave në rrugët e Srebrenicës.

Filmimi tregon edhe Deliqin duke bërë shaka me shokun e tij të ngushtë, këpucarin vendas Salih Mustafiç.

Edhe trupi i Mustafiçit s’është gjetur kurrë.

Në një tjetër filmim që mban datën 6 janar 1994, Deliq rri ulur me mamanë e tij Semkën dhe babanë e tij Suljon duke pirë kafe.

“Mirsada, Nermina, Selmo, ejani të pimë kafe bashkë,” thotë Semka Deliq.

“Le ta shohin që po pimë kafe. Ta shohin që jemi shumë mirë dhe me shëndet,” thotë Suljo Deliq.

Edhe eshtrat e tij s’janë gjetur kurrë.

Lakota dhe familja e saj jetonin në qytetin e vogël gjerman të Kreuztalit. Ajo u përpoq të dërgonte pako ndihmë në Srebrenicë nëpërmjet Kryqit të Kuq, por nuk arriti kurrë. Forcat rrethuese lejonin të hynin vetëm karvanë të Kombeve të Bashkuara, edhe atëherë vetëm pas negociatave shumë të gjata.

“Në regjistrime, ata thonë gjithmonë se janë shumë mirë, ndoshta për të na ngushëlluar,” tha Lakota.

Ende duke kërkuar

Velid Deliq

Lakota kishte një telefon dhe shumë boshnjakë të tjerë që jetonin pranë saj në Gjermani e përdornin atë për të folur me njerëzit e tyre të dashur sa herë që ishte e mundur.

Një ditë, dëshmitari i saj i dasmës e mori atë në telefon nga një telefon satelitor që ajo beson se ia ka dhënë nga një nga ushtarët e UNPROFOR-it në Srebrenicë.

“Ai tha se banorët vendas ishin mbledhur në zyrën postare, ku ata vendosën se nuk do të largohen nga Srebrenica, se do ta mbrojnë ata,” kujton ajo.

“Të nesërmen, Srebrenica ra,” tha ajo.

Nuk pati më asnjë kontakt. Lakota u përpoq t’i telefononte kujt të mundte.

“Pastaj im shoq i telefonoi gruas së dëshmitarit tonë të dasmës që ishte në Zagreb dhe ajo tha, ‘Pse telefonon tani kur të gjithë janë masakruar?’ Humba menjëherë ndjenjat. Thirrën një doktor,” kujton Lakota.

Mbetet ende e paqartë sesi vdiq saktësisht Velid Deliq.

“Ka shumë histori mbi vdekjen e tij. Nuk e di se cila është e vërtetë,” tha ajo.

Por një histori që ajo e dëgjoi nga një burrë që ishte i pranishëm kur ndodhi kjo duket me shumë gjasa e vërtetë.

Për t’i shpëtuar masakrave, rreth 15,000 burra nga Srebrenica nisën të ecnin përmes pyllit, duke kërkuar siguri në qytetin e Tuzlës, i cili ishte nën kontrollin e forcave boshnjake.

Përgjatë rrugës, ushtarë serb të Bosnjës, ndonjëherë të veshur me uniforma të Kombeve të Bashkuara që ua kishin vjedhur holandezëve, bashkë me automjete të tyre, i gjurmonin ata dhe i vrisnin.

Burri u shpreh se më 8 gusht, forcat serbe të Bosnjës rrethuan grupin e tij dhe të Deliqit ndërsa ata pushonin në pyll.

Në vitin 1997, në vendin e përshkruar nga ai, nga ekspertët u mblodhën eshtra njerëzish. Lakota shkoi të krahasonte ADN-në e saj me eshtrat e gjetura, por nuk kishte asnjë që mund të ishte vëllai i saj.

Njësoj si shumë të tjerë, ajo shpreson ende që një ditë eshtrat e vëllait dhe të babait të saj të gjenden dhe ajo do të ketë gjithashtu një varr ku të shkojë të vajtojë.

Familjet e viktimave të Srebrenicës eshtrat e të cilëve nuk janë gjendur ende i kanë zili familjet që i kanë gjetur njerëzit e tyre të dashur.

Ata mund të shikojnë kasetat dhe të shikojnë bijtë, baballarët dhe vëllezërit e tyre të flasin dhe të qeshin, por s’mund të shkojnë të vizitojnë varret e tyre, ndryshe nga familja e një tjetër burri nga Srebrenica që shfaqet në filmimet e Deliqit, Asim Tepiç.

“Shpresoj vërtet për një të ardhme më të mirë,” thotë Tepiç në një nga filmimet.

Eshtrat e tij u varrosën në vitin 2000. /BIRN/