LAJMI I FUNDIT:

Mediat amerikane: Presidenti Trump pritet të emërojë ambasadorin Grenell në krye të Zbulimit Kombëtar

Mediat amerikane: Presidenti Trump pritet të emërojë ambasadorin Grenell në krye të Zbulimit Kombëtar

Sipas shtypit amerikan, gazetës “Nju Jork Tajms”, rrjetit CNN dhe rrjetit “Fox News”, presidenti amerikan Donald Trump pritet të emërojë ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si Drejtor në detyrë të Zbulimit Kombëtar.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e nohura prej të cilave është CIA.


Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

Gazeta Nju Jork Tajms ishte e para që dha njoftimin, bazuar në burime të saj. Më pas rrjeti “Fox News” tha se e kishte konfirmuar njoftimin.

CNN njoftoi se sipas burimeve të tij, Ambasadori Grenell kishte shprehur prej kohe dëshirën për t’u larguar nga posti në Gjermani për të shkuar në sektorin privat, ose në një post tjetër qeveritar.

Ambasadori Grenell njihet si përkrahës i fortë i Presidentit Trump, shkruan VOA.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati.

Nuk është e qartë nëse Ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani.

Ndryshe, Grenell është duke shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin.

Ai njëherësh është caktuar edhe si i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi. /Telegrafi/