Më shumë se Dokufest

- Opinion prizrençe: Një reflektim personal pas përfundimit të edicionit të tetë të Dokufestit në Prizren -
Pikërisht në momentin kur po e filloja këtë shkrim, mu shfaq një dilemë. A thua do të mendoja për këtë gjë dhe të ulesha për të shkruar, po të mos organizohej Dokufesti javën e kaluar?! Besoj që jo. Thjesht nuk do të kisha inspirim dhe as ngacmim mendor për t’i thënë këto fjalë pa Dokufestin. Por, këtu qëndron një nuancë e vogël arsyetimi. Nuk ishte vetë festivali Dokufest, arsye për këtë shkrim, por përfundimi i tij.
Sot, derisa po reflektoj dhe shkruaj mbi këtë temë, kanë kaluar mbi 24 orë nga mbyllja e edicionit të tetë të Dokufestit. Dhe qyteti i Prizrenit më duket disi i zymtë. Qytetin e ka kapluar një lloj melankolie për diçka që i ka ikur. Sikurse ndjenja e një prindi kur fëmija i tij niset për studime jashtë vendit. Pikëllueshëm e përcjell deri në stacion dhe pjesa tjetër është pritje dëshpëruese deri në kohën e pushimeve shkollore. Kur fëmija do të kthehet në shtëpi, për ta risjellë gëzimin dhe gjallërinë në familje. Dokufest është fëmija i vetëm i Prizrenit, për hasret. Dhe përfundimisht kjo shtëpi ka nevojë për fëmijë tjerë. Prandaj, seriozisht duhet të mendojmë për çiftëzim dhe prodhim të më shumë fëmijëve. Prizreni ka nevojë, por edhe potencial për MË SHUMË SE DOKUFEST.
Sa herë që diskutojmë për mundësitë e zhvillimit në Prizren, ne gati çdo herë, shpesh edhe pavëmendshëm, konstatojmë se të gjitha resurset dhe mundësitë për zhvillimin e Prizrenit që i posedon. Bile ka shumë nga to. Duke filluar nga trashëgimia kulturore, peisazhet dhe resurset natyrore, e deri tek dashamirësia dhe ngrohtësia e qytetarëve të tij, Prizreni gjithnjë është shquar me një pasuri të pashoqe ndër qytetet e Kosovës. Nëse e shohim sot qytetin dhe lehtë mund të konstatojmë se ai gjendet shumë larg potencialit të tij zhvillimor. Shkurt, që dhjetë vite të qeverisjes lokale dhe qendrore, në Prizren ka munguar ndërlidhja mes pasurive dhe resurseve të këtij qyteti dhe zhvillimit. Qeverisja lokale ka qenë gjithnjë larg vetëdijes institucionale për t’i kanalizuar këto resurse dhe për ta mobilizuar këtë pasuri, për t’i shfrytëzuar në emër të zhvillimit social dhe ekonomik. Dhe Dokufesti është një resurs dhe pasuri e këtillë.
Pyeteni qeverinë lokale se sa angazhim kanë investuar në Dokufestin?! Natyrisht, përgjigjia është e njohur për të gjithë ne: shumë pak. Dhe me kaq pak kontribut, Dokufesti arrinë të bëj mrekullinë për Prizrenin dhe Kosovën. Paramendojeni një qeveri lokale që investon dhe angazhohet më shumë për Dokufestin. Paramendojeni një mentalitet të ri të qeverisjes që e shumëzon shembullin e Dokufestit dhe Prizrenin e shndërron në qytet të festivaleve dhe të organizimeve tjera kulturore, sportive, rinore, etj. Dhe paramendojeni se sa më të lehtë do ta kishin punën e tyre gjithë djelmoshat dhe vashat ambicioze të qytetit që ballafaqohen me gjithfarë problemesh për ta organizuar një festival siç është Dokufesti. Dhe natyrisht, paramendojeni se sa më shumë turistë do të vinin në Prizren, sa më gjatë do rrinin, sa më shumë do të shpenzonin...
Prizreni ka nevojë jetike për rritjen e ofertës turistike dhe kjo do të arrihet përmes ngjarjeve kulturore dhe atraksioneve natyrore. Çdo investim në këtë drejtim, qytetit do t’i kthehet i disafishuar në emër të zhvillimit, në emër të vendeve të reja të punës dhe në emër të një jete më cilësore për qytetarët e Prizrenit. Prizreni ka nevojë dhe duhet të ketë MË SHUMË SE DOKUFEST-in.
(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)





































