Maresca kërkon falje ndaj Chelseat: Largimi ishte vendimi im, jam i lumtur që iu bashkova Manchester Cityt


Trajneri italian Enzo Maresca ka reaguar për herë të parë pas largimit nga Chelsea dhe emërimit në krye të Manchester Cityt, duke pranuar se vendimi për t'u larguar në mes të sezonit ishte ekskluzivisht i tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Maresca zbuloi se në fund të dhjetorit 2025 vendosi të jepte dorëheqjen nga Chelsea, vendim që më pas i hapi rrugën rikthimit te Manchester City.
"Në fund të dhjetorit 2025 mora vendimin e vështirë për t'u larguar nga Chelsea. Ishte vetëm vendimi im. Dorëheqja ime hapi rrugën që t'i bashkohesha Manchester Cityt, një klub që e njoh shumë mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që tani jam pjesë e Manchester Cityt", shkroi ai.
Kërkimfalje për largimin në mes të sezonit
Maresca pranoi se largimi i tij në një moment delikat të sezonit shkaktoi vështirësi për Chelsean dhe u kërkoi falje tifozëve dhe klubit.
"E pranoj se largimi im nga Chelsea në mes të sezonit shkaktoi vështirësi për klubin dhe kërkoj falje për këtë. Nuk ishte as qëllimi dhe as dëshira ime."
Tekniku italian falënderoi të gjithë në klub për mbështetjen dhe kujtoi me vlerësim periudhën e kaluar në Stamford Bridge.
"U trajtova shumë mirë nga të gjithë te Chelsea. Së bashku arritëm suksese të mëdha dhe krijuam kujtime që do t'i ruaj gjithmonë me shumë krenari", përfundoi Maresca.
Maresca tashmë ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në krye të Manchester Cityt, duke u rikthyer në klubin ku më parë kishte punuar si pjesë e stafit teknik të Pep Guardiolës. /Telegrafi/







































