Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk do të mbetet në politikë pasi të largohet nga Pallati Elysee në vitin 2027, kur t’i përfundojnë dy mandatet maksimale.

“Unë nuk kam qenë i përfshirë në politikë para [se të bëhesha president] dhe nuk do të jem i përfshirë as më pas”, tha presidenti francez para studentëve në Nikosia, gjatë një vizite dyditore në Qipro për një takim të Këshilli Evropian.


I zgjedhur në vitin 2017 në moshën 39-vjeçare, Macron u bë presidenti më i ri i Francës që nga themelimi i Republikës së Pestë Franceze në vitin 1958.

Ai u rizgjodh në vitin 2022, por nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, shkruajnë mediat.

Macron, i cili ka shërbyer edhe si ministër i ekonomisë nga viti 2014 deri më 2016 nën qeverinë socialiste të François Hollande, nuk dha detaje për hapat e tij të ardhshëm.

Reforma kryesore e tij në politikën e brendshme ka qenë rritja e moshës minimale të pensionit nga 62 në 64 vjeç. Por ky ligj i diskutueshëm aktualisht është pezulluar deri pas zgjedhjeve të vitit 2027, pasi partia e tij humbi shumicën në parlament pas zgjedhjeve të parakohshme në qershor 2024.

Vendimi i njëanshëm i 48-vjeçarit për të shpërndarë parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të parakohshme, pasi partia e ekstremit të djathtë National Rally mposhti bllokun e tij centrist në zgjedhjet evropiane, është kritikuar shumë, madje edhe brenda partisë së tij Renaissance.

Në fjalimin e Vitit të Ri 2025, Macron pranoi se ky vendim kishte sjellë më shumë paqëndrueshmëri politike në Francë, në vend të “zgjidhjeve për popullin francez”. /Telegrafi/