Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje mbajti mbrëmë një tubim të madh në Pejë, ku morën pjesë qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të ardhur nga të gjitha lagjet e qytetit dhe fshatrat përreth.

Të pranishmëve fillimisht iu drejtua Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Taulant Kelmendi, i cili theksoi rolin historik të Pejës si qytet i qëndresës, krenarisë dhe kontributit të vazhdueshëm për lirinë, kulturën, sportin dhe shtetndërtimin e Kosovës.


Në fjalimin e tij, Kelmendi kujtoi figura të shquara të historisë dhe jetës publike të Pejës, duke theksuar se qyteti vazhdon të qëndrojë në anën e drejtësisë, zhvillimit dhe interesit publik.

Ai vlerësoi rezultatet e qeverisjes së udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, duke përmendur progresin në zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve, rritjen e sigurisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Sa më shumë që pengojnë shtetin, aq më shumë bashkohet populli. Sa më shumë që sulmojnë republikën, aq më shumë forcohet Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi Kelmendi para qytetarëve të mbledhur në tubim.

Ai theksoi se zgjedhjet e 7 qershorit janë një moment vendimtar për të ardhmen e vendit, duke i ftuar qytetarët që të mbështesin vazhdimin e politikave të zhvillimit, drejtësisë dhe qeverisjes së përgjegjshme.

Në vazhdim të tubimit, para të pranishmëve foli edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili prezantoi prioritetet për mandatin e ardhshëm dhe falënderoi qytetarët e Pejës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projektit për një shtet më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratik.

Atmosfera entuziaste dhe pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dëshmuan mbështetjen që gëzon Lëvizja Vetëvendosje në Pejë dhe vendosmërinë për të vazhduar rrugën e ndryshimit. Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të votojnë numrin 116, për vazhdimin e reformave, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesit publik.