Luis Enrique thurr lavde për Arsenalin: Ekipi më i mirë në botë në lojën pa top

Luis Enrique ka vlerësuar maksimalisht Arsenalin para finales së Ligës së Kampionëve, duke thënë se “Topçinjtë” janë skuadra më e mirë në botë pa topin dhe duke paralajmëruar një përballje shumë interesante mes tyre dhe Paris Saint-Germain.
PSG dhe Arsenal do të përballen në Budapest më 30 maj, me kampionët francezë që synojnë të bëhen skuadra e parë, përveç Real Madridit, që e mbron trofeun e Ligës së Kampionëve.
PSG e eliminoi Arsenalin në gjysmëfinale sezonin e kaluar, prandaj Luis Enrique e di mirë se çfarë kërkohet për ta mposhtur skuadrën e Mikel Artetas, por megjithatë pret një test shumë të vështirë.
“Kemi përvojë duke luajtur kundër Arsenalit të Mikel Artetas dhe e dimë shumë mirë sa të fortë janë me topin”, deklaroi Luis Enrique të mërkurën.
“Pa topin, ata janë skuadra më e mirë në botë, pa asnjë dyshim. Me topin, ata janë të aftë të shënojnë shumë gola dhe është krejtësisht e natyrshme t’i shohim në finale”.

“Do të jetë një finale shumë e vështirë me dy skuadra që i qasen në dy mënyra të ndryshme. Por besoj se na pret një finale e madhe”, përfundoi trajneri i PSG-së.
Stili ofensiv i PSG-së këtë sezon është reflektuar edhe në shifra, pasi kanë realizuar 44 gola në Ligën e Kampionëve, shifra e dytë më e lartë ndonjëherë në një edicion të vetëm, pas Barcelonës që kishte shënuar 45 gola në sezonin 1999/00.
Në anën tjetër, rrugëtimi i Arsenalit drejt finales së parë evropiane që nga sezoni 2005/06 është ndërtuar mbi një mbrojtje shumë të fortë. Në 14 ndeshje në këtë edicion të garës, Arsenali ka pësuar vetëm gjashtë gola, teksa ka përballuar 11.74 expected goals against (xGA) dhe 39 goditje në portë./Telegrafi/












































