Sa do t’i kushtonte Juventusit mungesa e Ligës së Kampionëve?

Juventusi rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27, pas rezultateve zhgënjyese në xhiron parafundit të Serie A, por një skenar i tillë do të kishte pasoja edhe të mëdha financiare për “Zonjën e Vjetër”.
Bianconerët u mposhtën 2-0 në shtëpi nga Fiorentina, ndërsa rivalët direktë në garën për “Top 4” – Napoli, Milani, Roma dhe Como – i fituan ndeshjet e tyre, duke e lënë Juventusin në vendin e gjashtë, dy pikë larg katër vendeve të para.
Tashmë, për ta kapur Ligën e Kampionëve, Juves i duhen edhe rezultatet e të tjerëve në xhiron e fundit, pra “dhurata” nga Roma dhe Como.

Hera e fundit kur Juventusi nuk luajti në Ligën e Kampionëve ishte sezoni 2023/24, kur klubi u dënua me 10 pikë minus në Serie A sezonin paraprak dhe më pas u përjashtua nga garat e UEFA-s për shkelje të rregullave financiare.
Mungesa nga Champions pati ndikim të madh në bilancet e klubit: atë vit Juventusi regjistroi humbjet më të mëdha në tre vitet e fundit, me një minus prej 199 milionë eurosh, ndërsa të ardhurat ranë me rreth 78 milionë euro.
Në tre vitet e fundit, të ardhurat e Juventusit kanë qenë 438 milionë euro në 2022/23, 360 milionë euro në 2023/24 dhe 420 milionë euro në 2024/25, ndërsa humbjet neto kanë shkuar në -124 milionë euro (2022/23), -199 milionë euro (2023/24) dhe -58 milionë euro (2024/25).
Sezoni 2023/24 ishte i veçantë sepse Juventusi mbeti krejtësisht jashtë Evropës, ndërsa në 2026/27, edhe nëse nuk kualifikohet në Ligën e Kampionëve, së paku do ta kishte të garantuar një vend në Ligën e Evropës.

Por diferenca e të ardhurave mes dy kompeticioneve mbetet e madhe. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, diferenca mes një kualifikimi deri në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve dhe një ecurie realiste deri në çerekfinale ose gjysmëfinale të Ligës së Evropës do të ishte rreth 55-60 milionë euro. /Telegrafi/

















































