LAJMI I FUNDIT:

Lojtari i momentit tek Dukagjini, Morina flet për formën fantastike, synimet me klubin dhe për të ardhmen e tij

Lojtari i momentit tek Dukagjini, Morina flet për formën fantastike, synimet me klubin dhe për të ardhmen e tij

Dukagjini vazhdon edhe këtë sezon të jetë në mesin e skuadrave më të rrezikshme në Superligën e Kosovës. Njëri ndër lojtarët më në formë tek klinasit është edhe Blerind Morina, i cili përkundër faktit që luan si mesfushor i tërhequr, po dëshmon se mund të shënojë gola dhe të bëjë asistime.

Morina kryesisht është rritur dhe zhvilluar si futbollist jashtë Kosovës, më saktësisht në Belgjikë aty ku u paraqit për ekipet e Cercles dhe Oostendes, duke kaluar nëpër grupmosha të ndryshme.


Në një intervistë për Telegrafin, Morina ka folur për të gjitha, formën e mirë, serinë fantastike të klinasve dhe objektivat që ka me klubin.

Morina deri në këtë fazë të sezonit në Superligë numëron dy gola dhe dy asistime duke qenë njëri nga lojtarët më produktiv për trajnerin Armend Dallku.

Për formën aktuale Morina tha se nuk është shumë i kënaqur pasi sipas tij ka mundur të bëjë edhe më shumë për klubin.

“Për formën aktuale jam dhe nuk jam shumë i kënaqur. Jam rikthyer pas një lëndimi që kam pasur vitin e kaluar dhe mendoj se kam mundur të bëjë më shumë për grupin, me konkretizimin e rasteve për gol”, vazhdoi Morina.

Tutje, ai foli edhe për kampionatin e Kosovës ku tha që së shpejti do të arrijë nivelin e futbollit belg në rast se vazhdon të zhvillohet me këto hapa.

“Dita ditës futbolli kosovar po bëhet më atraktiv. Besoj që së shpejti kampionati ynë do të arrijë nivelin e futbollit belg ku unë e kam filluar karrierën”, tha Morina.

Niveli i tij i lartë i lojës padyshim që ka bërë që Morina të tërheq vëmendjen e klubeve brenda dhe jashtë Kosovës.

Morina konfirmon se ka pasur në disa raste oferta për të ndërruar ambient por që nuk ka dashur të largohet nga Klina.

“Kam pasur oferta nga klubet jashtë Kosovës, por nuk jam i interesuar që të ndërroj ambient pa u dëshmuar në kampionatin e Kosovës. E ndiej veten shumë rehat në Klinë”, deklaroi ai.

Në fund, ai nuk la pa përmendur edhe synimet që ka me Dukagjinin këtë sezon, duke thënë se harmonia që mbizotëron brenda klubit mund të jetë një faktor që klinasit të prekin përsëri Evropën.

“Me këtë lidhje dhe harmoni që kemi lojtarët, stafi i trajnerëve dhe kryesia mes vete, është garanci që ne do të vazhdojmë suksesin e vitit të kaluar e pse jo të ngjitemi edhe një shkallë më lartë”, përfundoi Morina.

Morina ka folur para derbit me Ballkanin që do ta zhvillojnë ditën e hënë në Suharekë.

Ai tha se kësaj ndeshjeje do t’i çasen me seriozitet maksimal dhe do të synojnë tri pikët.

“Si në të gjitha ndeshjet tjera deri më tani, edhe në kësaj ndeshje do t’i çasemi me seriozitetin më të madh. Angazhimi shpërblehet dhe ne nuk i frikësohemi asnjë ekipi. E kemi dëshmuar në shumë raste se kur jemi të bashkuar, nuk dimë për humbje”, ka thënë fillimisht Morina.

Forma fantastike që po e përcjell mesfushorin e talentuar është një sinjal pozitiv edhe për Përfaqësuesen e Kosovës për shkak se nëse 22-vjeçari vazhdon të befasojë të gjithë me kualitetin e tij, vendi do të fitojë një tjetër talent të ri për të ardhmen./Telegrafi/