Një moment thellësisht emocional u pa në stadium gjatë ndeshjes Barcelona – Real Betis, kur Robert Lewandowski u largua nga fusha për herë të fundit me fanellën e klubit katalanas.

Edhe pse sulmuesi polak nuk arriti të shënojë në mbrëmjen e lamtumirës, rezultati kaloi në plan të dytë, pasi vëmendja e tifozëve u përqendrua plotësisht te përshëndetja e tij.


Në momentin kur numri i Lewandowskit u shfaq në tabelë dhe u krye zëvendësimi, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë. Tifozët e Barcelonës e duartrokitën gjatë, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë katër viteve në klub.


Edhe bashkëlojtarët iu bashkuan homazhit, duke e përqafuar teksa ai ecte ngadalë drejt stolit, dukshëm i emocionuar nga atmosfera.

Kamerat e kapën Lewandowskin pothuajse me lot në sy, ndërsa ai u kthye nga tribuna për t’i përshëndetur tifozët dhe për ta shijuar për herë të fundit atë moment.


Edhe pa një gol lamtumire, Lewandowski i jep fund aventurës te Barcelona duke e lënë emrin e tij të skalitur në historinë moderne të klubit. /Telegrafi/

telegrafi sport app