Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja

I nderuari z. Muja,
Si qytetar i Prizrenit, Komunë të cilin ju e udhëhiqni tash dy vite, dhe si shfrytëzues i drejtpërdrejtë i qeverisjes suaj, marr guximin që t’ju drejtohem publikisht lidhur me një çështje me interes për komunitetin në të cilin jetoj, e besoj edhe më gjerë. Gjithashtu, kjo letër e hapur vjen pas shumë tentimesh që nëpërmjet procedurave ligjore të vendosim komunikim zyrtar me Komunën e Prizrenit, tentime këto që deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.
Më datën 30 Prill 2009, Kuvendi Komunal i Prizrenit ka marrë vendim për ndryshimin e Planit Detal Urbanistik të Lagjes Dardania (ish-Jaglenica), ku në vendin e paraparë për hapësirë të gjelbëruar, është vendosur ndërtimi i ndërtesave kolektive për raste sociale dhe familje të dëshmorëve. Ky vendim është marrë duke shkelur një numër ligjesh dhe aktesh nënligjore, ndër të tjera: Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Statutin e Komunës së Prizrenit, Ligjin për Planifikim Hapësinor, Udhëzimin Administrativ për Zbatimin e Ligjit për Planifikim Hapësinor Nr. 54/2005 sikurse edhe Planin Zhvillimor Lokal dhe Planin Rregullues Urban të Lagjes Dardania.
Për këtë arsye, qytetarët e kësaj lagjeje, duke u bazuar në ligjet në fuqi, kemi reaguar nëpërmjet një peticioni të nënshkruar nga shumica e banorëve të lagjes mbi 18 vjeç, dhe të dorëzuar në Kuvendin Komunal të Prizrenit më datë 13 korrik 2009. Nëpërmjet këtij peticioni kemi kërkuar anulimin e vendimit të lartshënuar dhe respektimin e normave ligjore për një vendim të tillë.
Edhe pse të obliguar me Statutin e miratuar nga vet Kuvendi Komunal i Prizrenit për tu përgjigjur në këtë peticion në afat prej 45 ditësh, ky i fundit as që ka marrë mundin të shqyrtojë të njëjtin. Përkundrazi, është vazhduar me procedura të tenderimit dhe kompania fituese ka filluar ndërtimin e objekteve kolektive në muajin shtator. Banorët e lagjes, përsëri duke respektuar në plotësi procedurat e parapara me ligj, kemi ngritur çështjen në institucionet e Avokatit të Popullit dhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Duke parë që ndërtimi po vazhdon, dhe atë me ritëm të përshpejtuar, si dhe duke pasur parasysh që për shkak të zgjedhjeve lokale të 15 Nëntorit, Asambleja Komunale ka pushuar së vepruari, jemi të detyruar që të kërkojmë intervenimin tuaj urgjent në zbatimin e ligjeve në fuqi dhe respektimin e të drejtave tona themelore të garantuara edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Mendojmë që, pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të 15 Nëntorit 2009, dhe në mënyrë që të dëshmoni përkushtimin tuaj për sundim të ligjit dhe qeverisje të bazuar në respektimin e kërkesave të qytetarëve të cilët ju kanë dhënë mandatin aktual, keni obligim moral dhe ligjor që të jepni urdhër për ndalimin e punimeve dhe shqyrtimin e ligjshmërinë së vendimit të lartpërmendur. Kjo kërkesë forcohet edhe më shumë duke parë që nëpërmjet ndërtimit që është në zhvillim e sipër, po ndodh dëm i pariparueshëm dhe rrezikim i tërësisë urbanistike të lagjes, e cila deri para pak kohësh ka qenë shembull i zbatimit të parimeve më të mira të planifikimit urban.
Për më tepër, heshtja juaj para një problemi të tillë do të inkurajojë edhe në të ardhmen përsëritjen e abuzimeve të tilla me pushtetin, dhe marrjen e vendimeve jashtëligjore nga organet komunale, praktika këto që rrezikojnë seriozisht ndërtimin e shtetit dhe forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
E kundërta e kësaj, që nënkupton reagimin tuaj në bazë të kompetencave që i keni, do të jetë nisje e një praktike shembullore në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që ju i udhëhiqni, e në të njëjtën kohë lehtësim i madh për kryetarin e ardhshëm të Komunës së Prizrenit, kandidat për të cilin jeni edhe ju vet.
(Autori është banor i lagjes Dardania në Prizren)





































