Leonardo, artisti kosovar që synon tregun e huaj: Shpresoj që një ditë ta përfaqësoj Kosovën në Eurovision (Foto/Video)

Leonardo Kryeziu është një artist i ri i skenës.
Ai vjen nga Kosova, por jeton në Austri, dhe karrierën si këngëtar ka vendosur ta nisë në tregun e huaj.
“I like do” titullohet projekti i tij i parë, të cilin Leonardo e sjell në anglisht, dhe me të cilin synon të depërtojë në tregun ndërkombëtar.
Në një intervistë për Telegrafin, artisti i ri premtues shpalos detajet e projektit të tij të parë, që është publikuar para pak ditësh.
“Në këtë projekt kam punuar diku tetë muaj. Kjo është kënga e parë që kam prezantuar, edhe tri të tjera janë ende në punë. Inçizimi i këngëve u bë në korrik, teksti është shkruar nga unë kurse muzika është bërë nga Florent Boshnjaku. Gjuha angleze është zgjedhur me qëllim për shkak se kënga u dedikua për tregun ndërkombëtar”, tha Leonardo për Telegrafin.

Në vazhdimin e bisedës, ai tregoi se cilat janë komentet e para rreth këngës, sa është pritur mirë dhe cilat janë synimet e qarta të tij.
“Kënga është pranuar shumë mirë nga publiku, edhe pse ende jam i panjohur. Kam pas komplimente të tipit: ‘është hit’, ‘e dëgjojmë 20 herë radhazi’ etj, të gjitha këto nga fansat në një radio në Austri ku dhashë intervistë, dhe ku do të prezantojnë këngën time e krahasuar me këngë një Eurovisioni”, tregon më tej artisti i ri.
Por sa është e vështirë të depërtosh në treg si një artist i ri?“Pyetje me vend. Pasi që jetoj jashtë vendit është vërtetë shumë vështirë të depërtosh, sepse edhe tregu është i mbushur me këngëtarë. Ta shohim, dëshirë do të kisha që edhe në Kosovë të jem i pranishëm. Në plan janë që në tetor të prezantohet kënga e dytë, në nëntor kënga e tretë dhe dhjetor kënga e katërt. Është punë shumë intensive, duke marrë parasysh që unë jam student dhe tërë projektin e drejtojë vet”, thotë tutje për Telegrafin Leonardo.
Në përfundimin e bisedës, artisti i ri nuk la pa përmendur se cilët janë artistët e mëdhenj që e frymëzojnë, dhe se cilat janë pikësynimet e tij në të ardhmen.
“Justin Timberlake, George Michael, dhe Sam Smith janë ndër të preferuarit e mi nga të cilët unë frymëzohem. Ndërsa sa i përket të ardhmes, dëshira ime do të ishte që një ditë të prezantoja vendin tim në Eurovision”, përfundoi Leonardo Kryeziu për Telegrafin.
Ndërkohë, “I like do” e cila është njëherësh projekti i parë i artit të ri, ka arritur të pëlqehet mjaft në kanalin YouTube, dhe do të pasohet me disa projekte tjera në muajt në vazhdim. /Telegrafi/














































