Leo Messi rikthen Argjentinën në lojë, me asistim dhe gol


Lionel Messi ka rikthyer Argjentinën në lojë në përballjen dramatike ndaj Egjiptit, teksa kanë mbetur edhe rreth 15 minuta, përfshirë kohën shtesë.
Argjentina ishte në një situatë shumë të vështirë, pasi Egjipti kishte krijuar epërsi 2-0 falë golit të Yasser Ibrahim në minutën e 15-të dhe realizimit të Mostafa Zikos në pjesën e dytë.
“Faraonët” u shfaqën të rrezikshëm në kundërsulme dhe e mbajtën nën presion skuadrën e Lionel Scalonit.

Megjithatë, kampionët e botës nuk u dorëzuan. Në minutën e 79-të, Messi asistoi për Cristian Romeron, i cili shënoi me kokë për 2-1 dhe riktheu shpresat e argjentinasve.
Vetëm katër minuta më vonë, Messi mori përsipër gjithçka. Legjenda argjentinase realizoi një gol spektakolar me volej nga brenda zonës, duke e dërguar topin në rrjetë pas përplasjes në traversë për rezultatin 2-2.
Ky ishte reagimi i madh i Messit, i cili më herët kishte humbur edhe një penallti në pjesën e parë, pasi goditja e tij u ndal nga portieri Mostafa Shobeir.

Ndeshja tashmë është plotësisht e hapur, me Argjentinën që kërkon përmbysjen e plotë, ndërsa Egjipti synon të ruajë shpresën për një nga befasitë më të mëdha të këtij Botërori. /Telegrafi/










































