LAJMI I FUNDIT:

Lennox Lewis: Fury e mposhti Wilderin, por më ka ndodhur edhe mua në Amerikë duke mos ma dhënë fitoren

Lennox Lewis: Fury e mposhti Wilderin, por më ka ndodhur edhe mua në Amerikë duke mos ma dhënë fitoren
Tyson Fury, Deontay Wilder, Lennox Lewis (Foto: Getty Images/Guliver)

Barazimi kundërthënës i Tyson Furyt ndaj Deontay Wilder, tregon se sa vështirë është që një britanik të shkojë në Amerikë dhe të marrë rripin e dikujt, ka thënë ish-kampioni botëror në kategorinë e peshave të rënda, Lennox Lewis.

Boksieri britanik u bëri ballë dy nokauteve të kampionit të WBC-së në duelin e zhvilluar në Los Angeles, ndërkohë që me pikë ishte përpara.


Tyson Fury pësoi dy nokaute, por u çua në të dyja rastet (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Sidoqoftë, në fund gjyqtarët vendosën me pikë se meçi ishte i barabartë dhe Wilder e mbajti titullin.

Mirëpo, derisa po vazhdojnë kundërthëniet lidhur me ndarjen e pikëve, Lewis pohon se është i bindur se duelin e fitoi Fury.

“Më ka ndodhur edhe mua dhe e dija se do t’i ndodhte edhe atij”, ka thënë Lewis për BT Sport Box Office, të cilit iu mohua fitorja në vitin 1999 në New York kundër amerikanit Evander Holyfield dhe meçi u vendos baras.

Përballja ndërmjet Evander Holyfield dhe Lennox Lewis në vitin 1999 (Foto: Al Bello /Allsport/Getty Images/Guliver)

Pas reagimeve të asaj kohe, autoritet e boksit urdhëruan që të zhvillohej rimeçi, të cilin pastaj e fitoi legjenda britanike me vendim unanim.

“Sipas meje, Tyson Fury e fitoi duelin. Mendoj se Deontay boksoi shumë dobët”, ka thënë më pas 53-vjeçari.

Më pas, ai i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të bërë krahasime mes duelit të tij ndaj Holyfield dhe meçit ndërmjet Wilder dhe Fury.

Tyson Fury dhe Deontay Wilder u ndanë baras (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

“Gjykimi më kujton duelin tim të parë me Holyfield. Sapo e pash Tyson Furyn të kthyer nga droga, depresioni, pas dy vitesh mosaktiviteti dhe humbje të madhe të peshës, duke mposhtur kampionin e WBC-së në kategorinë e peshave të rënda, të cilit iu dhurua një barazim.

“Në një rimeç, mund të parashikoj se ai do të jetë akoma më i përgatitur”, ka theksuar Lewis. /Telegrafi/