eksperti-banner

”Kalendari i Ngjarjeve”, një platformë digjitale e krijuar për t’i dhënë publikut një pasqyrë të plotë dhe të përditësuar të ngjarjeve më të rëndësishme që zhvillohen në Kosovë, nga kultura dhe arti te sporti, edukimi, biznesi dhe teknologjia.

E konceptuar dhe financuar nga IPKO, kjo iniciativë synon të krijojë një pikë të vetme referimi për publikun, duke e bërë më të lehtë zbulimin, ndjekjen dhe planifikimin e pjesëmarrjes në ngjarjet që zhvillohen gjatë gjithë vitit.


E realizuar në bashkëpunim me Telegrafi.com, platforma është integruar në portalin e Telegrafit, një nga mediat online me audiencën më të madhe në vend, duke mundësuar që informacioni për ngjarjet të arrijë te një numër i madh lexuesish.

E organizuar në format kalendarik, rubrika paraqet eventet sipas datave të zhvillimit dhe ofron informacionet kryesore për secilën prej tyre, përfshirë lokacionin, programin, mënyrën e pjesëmarrjes, biletat dhe detaje të tjera relevante për vizitorët.

Një nga veçoritë kryesore të platformës është mundësia për të identifikuar menjëherë aktivitetet që po zhvillohen aktualisht, si dhe ato që janë planifikuar për ditët dhe javët në vijim. Kjo u mundëson përdoruesve të kenë një pasqyrë të qartë dhe të përditësuar të ngjarjeve që zhvillohen në vend.

Përveçse një burim informimi për publikun, “Kalendari i Ngjarjeve” shërben edhe si një hapësirë promovuese për organizatorët, institucionet, kompanitë dhe komunitetet që organizojnë aktivitete publike, duke u ofruar atyre mundësinë të prezantojnë ngjarjet e tyre para një audience të gjerë.

Kjo iniciativë është vazhdim i angazhimit afatgjatë të IPKO-s dhe poashtu Telegrafit për mbështetjen e kulturës, artit, sportit, inovacionit dhe zhvillimit të komunitetit.

Përmes partneriteteve të shumta me festivale, organizata kulturore, institucione arsimore dhe iniciativa qytetare, IPKO ka kontribuar ndër vite në fuqizimin e jetës publike në Kosovë.

“Kalendari i Ngjarjeve” vjen si një hap i ri në këtë angazhim, duke krijuar një platformë të përhershme që rrit dukshmërinë e aktiviteteve dhe afron publikun me ngjarjet që zhvillohen në vend.

“Kalendari i Ngjarjeve” është tashmë aktiv ( https://telegrafi.com/kalendari-i-ngjarjeve) dhe do të përditësohet vazhdimisht me aktivitete të reja, me synimin që të shndërrohet në referencën kryesore për informim dhe promovim të eventeve në Kosovë.