LAJMI I FUNDIT:

Lampard: Ndikimi i Pulisicit te Chelsea i ngjashëm me të Hazardit

Lampard: Ndikimi i Pulisicit te Chelsea i ngjashëm me të Hazardit

Frank Lampard beson se ndikimi i Christian Pulisic në Chelsea është i krahasueshëm me atë të Eden Hazard në Stamford Bridge.

Pulisic shënoi dhe siguroi një asistim pas inkuadrimit gjatë pjesës së dytë në humbjen 5-3 të Chelseat nga Liverpooli të mërkurën mbrëma.

Reprezentuesi i SHBA-ve, 21-vjeçar, ka shënuar nëntë gola në ligë dhe ka siguruar katër asistime në 24 ndeshje, statistika të krahasueshme me sezonin e parë të Hazard (nëntë gola dhe 11 asistime në 34 ndeshje) te Chelsea më 2012-13.

Dhjetë lojtarët e rinj më të paguar në botë – Mbappe mbret, Haaland i dhjeti
Lexo po ashtu Dhjetë lojtarët e rinj më të paguar në botë – Mbappe mbret, Haaland i dhjeti

Lampard e lavdëroi sulmuesin anësor dhe tha që ndikimi i tij te Blutë ishte i ngjashëm me atë të Hazardit, i cili u largua për te Real Madridi vitin e kaluar.

“Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai e ka pasur atë ndikim. Unë isha këtu në vitin e parë të Edenit dhe nuk është e lehtë të hysh dhe të adaptohesh në Ligën Premier, madje edhe për Edenin në atë vit të parë”, ka thënë fillimisht Lampard.

Pulisic në ndeshje ndaj Liverpoolit (Foto: Phil Noble/Pool via Getty Images/Guliver)

“Christian ka pasur momentet e tij të tilla. Që nga mesi i sezonit ai ka bërë vërtetë mirë, ku pas rifillimit ka qenë në një formë të jashtëzakonshme”.

“Vetëm dëmtimi që ai mori në ndeshjen ndaj Norwich e ka mbajtur atë jashtë gjysmëfinales së FA Cup dhe kjo i ka ndalur formën”.

Lampard e lavdëron Pulisicin: Ka luajtur mirë deri më tani, por pres më shumë nga ai
Lexo po ashtu Lampard e lavdëron Pulisicin: Ka luajtur mirë deri më tani, por pres më shumë nga ai

“Ai luajti për 40 minuta ndaj Liverpoolit, gjë që është e shkëlqyeshme që lëndimi kaloi dhe ai tregoi cilësinë që ai ka treguar. Ai është kaq i ri, ka një talent natyror”.

“Ai shënon gola, krijon gola dhe është një lojtar i madh për ne. Kënaqem të shoh që ai po përshtatet. Me sa duket ai do të jetë një lojtar i madh për ne në ndeshjet e ardhshme, por edhe për të ecur përpara”, përfundoi trajneri i Bluve. /Telegrafi/