eksperti ad

Kylian Mbappe ka dërguar një mesazh të fortë për rivalët e Francës pas fitores së vështirë 1-0 ndaj Paraguait në fazën e 1/8-tës së Kupës së Botës 2026, duke theksuar se "Les Bleus" dinë të fitojnë edhe ndeshjet më të ashpra.

Sulmuesi i Real Madridit ishte heroi i francezëve, pasi realizoi golin e vetëm të takimit nga pika e bardhë në minutën e 70-të, në një ndeshje të zhvilluar në temperatura ekstreme në Filadelfia.


Mbappe tregoi qetësi gjatë gjithë sfidës, pavarësisht provokimeve të vazhdueshme nga futbollistët e Paraguait, ndërsa pas ndeshjes theksoi se Franca është e gatshme të përballet me çdo lloj futbolli.

“E dinim se çfarë ndeshjeje na priste”.

“Edhe ne dimë t'i bëjmë duart pis, dimë si të luajmë futboll të shëmtuar. Ndoshta mendonin se do të vinim me kostume elegante, por ishim gati”, ka deklaruar Mbappe.

Me këtë gol, 27-vjeçari ka shkuar në shtatë realizime në Kupën e Botës 2026, duke ndarë vendin e parë në garën për "Këpucën e Artë" me Lionel Messin.

Ai ka arritur gjithashtu në kuotën e 19 golave në 19 ndeshje të Kupës së Botës, vetëm një më pak se rekordi i Messit, ndërsa u bë futbollisti i parë në histori që shënon të paktën tre gola në fazën eliminatore të tre Botërorëve të ndryshëm.

Franca tani do të përballet me Marokun në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026./Telegrafi/

telegrafi sport app