"Ky është shansi juaj i fundit”, lexuesja e buzëve zbulon çfarë u tha Tuchel lojtarëve në momentet kritike


Thomas Tuchel u pa duke u treguar i ashpër me lojtarët e Anglisë gjatë çerekfinales së Kupës së Botës ndaj Norvegjisë, ndërsa një eksperte e leximit të buzëve ka zbuluar mesazhin që trajneri gjerman u dha futbollistëve të tij.
Sipas Nicola Hickling, Tuchel shfrytëzoi ndërprerjen për hidratim në pjesën e parë për të kritikuar paraqitjen e skuadrës, e cila kishte dominuar posedimin, por kishte krijuar shumë pak raste për gol.
"Punoni më shumë. Lëvizni më shpejt. Jeni shumë statikë. Vetëm po rrini në këmbë. Dëgjoni stafin. Duhet të luftojmë për pozicionet tona. Mbajeni topin poshtë”.
"Më pak shtyrje, më shumë fokus te topi. Në goditjet nga këndi duhet të vini nga e djathta. Mos hyni nga përpara. Pozicioni juaj më i mirë është në të djathtë, kjo është e sigurt. Sa herë vini nga përpara, topi humbet. Qëndroni në të djathtë. Dua fuqi nga secili prej jush. Ky është shansi juaj i fundit. Nëse humbim, eliminohemi. Hajde, të ecim!", ishte mesazhi i trajnerit.

Megjithatë, fjalët e tij nuk dhanë efekt të menjëhershëm. Pak minuta më vonë, John Stones humbi topin pranë zonës së Anglisë, ndërsa Norvegjia kaloi në epërsi me golin e Andreas Schjelderupit.
Anglia reagoi para pushimit, kur Jude Bellingham barazoi rezultatin pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në vazhdime ishte sërish Bellingham ai që shënoi golin e fitores, duke i siguruar Anglisë kualifikimin në gjysmëfinale.
Pavarësisht suksesit, Tuchel nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit.
"Ishim me fat. Ia bëmë jetën shumë të vështirë vetes. Rezultati është fantastik sepse jemi në gjysmëfinale, por nuk jam i lumtur me paraqitjen”.
"Angazhimi ishte aty, por mënyra si luajtëm nuk ishte e mirë. Bëmë gabime taktike, ishim shumë të ngadalshëm dhe nuk patëm ritmin që kërkohej. Ishim me fat"./Telegrafi/








































