eksperti ad

Faza e grupeve të Kupës së Botës 2026 ka përfunduar duke vendosur rekorde të reja, si në numrin e tifozëve në stadiume ashtu edhe në konsumin e ushqimeve dhe pijeve gjatë turneut.

Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga FIFA, pas 17 ditësh dhe 72 ndeshjesh, plot 4,644,549 tifozë ndoqën nga afër ndeshjet në 16 stadiume të shpërndara në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.


Stadiumet pothuajse plot në çdo ndeshje

Pjesëmarrja në stadiume ishte pothuajse maksimale gjatë gjithë fazës së grupeve.

FIFA bëri të ditur se 99.7 për qind e vendeve të disponueshme u mbushën, ndërsa mesatarisht 64,508 spektatorë ishin të pranishëm në çdo ndeshje.

Gjithashtu, tifozë nga 210 vende dhe territore blenë bileta për ndeshjet e Botërorit, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 3.5 milionë spektatorësh të vendosur në Kupën e Botës 1994 në Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër rekord u regjistrua më 25 qershor, kur në stadiume ishin të pranishëm 426,834 tifozë brenda një dite. Ndërkohë, tetë ndeshje kanë regjistruar mbi 80 mijë spektatorë.

Ndeshjet më të kërkuara

Sipas FIFA-s, ndër ndeshjet me kërkesën më të madhe për bileta ishte përballja Kolumbi – Portugali në Miami, e cila mbylli fazën e grupeve.

Interes të jashtëzakonshëm kanë zgjuar edhe finalja e 19 korrikut, si dhe sfida Meksikë – Koreja e Jugut në Guadalajara.

Vendet që blenë më shumë bileta ishin Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Meksika, Anglia, Gjermania, Kolumbia, Brazili, Argjentina, Australia dhe Franca.

300 mijë hot dogë dhe 2.8 milionë birra

Përveç futbollit, FIFA publikoi edhe statistika interesante mbi konsumin në stadiume.

Gjatë fazës së grupeve u shitën 300 mijë hot dogë, të cilët, sipas FIFA-s, nëse do të vendoseshin njëri pas tjetrit, do të mbulonin rreth 45 kilometra, distancë e ngjashme me atë mes stadiumit New York–New Jersey dhe Aeroportit Ndërkombëtar JFK.

Po ashtu, tifozët konsumuan më shumë se 2.8 milionë birra, një shifër që tejkaloi ndjeshëm mbi 1 milion shishet e ujit të shitura gjatë kësaj periudhe.

Preferencat ndryshuan sipas shtetit organizator. Në Kanada, produktet më të shitura ishin birra dhe patatet e skuqura.

Në Shtetet e Bashkuara, hot dogët ishin ushqimi më i preferuar. Në Meksikë, më së shumti u konsumua pica me patate të skuqura.


Fanella më e shitur

Në aspektin komercial, fanella e kombëtares së Meksikës rezultoi artikulli më i shitur i Adidas gjatë fazës së grupeve.

Sipas të dhënave të kompanisë, shitjet e lidhura me Kupën e Botës 2026 kanë tejkaluar tashmë 1.13 miliardë dollarë, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e madh ekonomik të turneut më prestigjioz të futbollit botëror. /Telegrafi/

telegrafi sport app