LAJMI I FUNDIT:

Kujdesi për dhëmbët gjatë shtatzënisë

Kujdesi për dhëmbët gjatë shtatzënisë

Gjatë shtatzënisë janë më të shpeshta sëmundjet periodontale, prandaj është shumë me rëndësi që të kontrollohet gjendja e mishit të dhëmbëve.

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Për shkak të hormoneve të shtatzënisë rritet rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të mishit të dhëmbëve që si rrjedhojë mund të ketë efekt jo të mirë edhe në zhvillimin e bebes.

Është shumë me rëndësi që një grua të tregojë kujdes për dhëmbët dhe për mishin e dhëmbëve gjatë shtatzënisë. Është mirë që përpara shtatzënisë të bëhet një kontroll tek mjeku i dhëmbëve në mënyrë që nëse ekziston ndonjë problem, ky problem të zgjidhet përpara shtatzënisë.

Pasi që të ndodhë shtatzënia nuk duhet të bëhet grafi e dhëmbëve (fotografimi i dhëmbëve me rreze roentgen). Edhe pse fusha e rrezatimit është larg nga mitra dhe rrezatimi është më i ulët, nuk duhet bërë grafi e dhëmbëve gjatë shtatzënisë (përveç ndonjë rrethane shumë të veçantë dhe të jashtëzakonshme).

Përgjithësisht, është mirë që mjekimi i dhëmbëve të evitohet në trimestrin e parë të shtatzënisë dhe në 6-7 javët e fundit të shtatzënisë. Të gjitha mjekimet të cilat nuk janë urgjente është mirë që të shtyhen pasi që të kryhet lindja.

Patjetër që duhet të bëhen kontrolle të rregullta te mjeku i dhëmbëve. Gjatë shtatzënisë janë më të shpeshta sëmundjet periodontale, prandaj është shumë me rëndësi që të kontrollohet gjendja e mishit të dhëmbëve.

Shpeshherë gratë në fillim të shtatzënisë krijojnë neveri në disa lloje të ushqimeve, por mund të mos e durojnë as shijen e pastës së dhëmbëve. Nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë duhet të zgjidhet një lloj tjetër i pastës së dhëmbëve me shije më të butë, por patjetër që dhëmbët duhet të pastrohen rregullisht.

Nëse një shtatzënë ka vjellje gjatë shtatzënisë, atëherë duhet ta shpërlajë gojën e ujë disa herë për të eliminuar edhe përmbajtjen e lukthit që është nxjerrë jashtë gjatë vjelljes dhe që mund të ketë mbetur në gojë.

Është shumë me rëndësi që të hahet ushqim i shëndetshëm me shumë fruta e perime dhe ujë. /Telegrafi/