Kryeministri hungarez, Peter Magyar, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk arriti të përmbushë detyrimet e saj ndaj Ukrainës, pavarësisht garancive të dhëna me Memorandumin e Budapestit të vitit 1994.

Duke folur për luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Evropë, ai rikujtoi se memorandumi, i nënshkruar në Budapest, ishte krijuar për të garantuar integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës, pas heqjes dorë të Kievit nga arsenali bërthamor sovjetik.


Sipas tij, zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se garancitë ndërkombëtare nuk funksionuan në praktikë dhe se Ukraina mbeti pa mbështetjen e mjaftueshme për të mbrojtur sovranitetin e saj.

“Problemi është se bashkësia ndërkombëtare nuk e përmbushi vërtet detyrën e saj dhe nuk garantoi integritetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, tha ai.

Kryeministri hungarez theksoi se zgjidhja e konfliktit duhet të vijë përmes një marrëveshjeje paqeje, por jo vetëm në nivel politik. Ai insistoi se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të përfshijë garanci konkrete dhe afatgjata sigurie për Ukrainën, në mënyrë që të shmangen rreziqe të ngjashme në të ardhmen.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur diskutimet për sigurinë evropiane dhe mbështetjen perëndimore për Ukrainën vazhdojnë të jenë në qendër të debateve ndërkombëtare. /Telegrafi/