Citroën rikthen ikonën 2CV “Spaček” - vjen si veturë elektrike

Gjatë Ditës së Investitorëve të kompanisë Stellantis në Detroit, drejtori ekzekutiv i Citroën-it, Xavier Chardon, u ngjit në skenë për të prezantuar një lajm të rëndësishëm për markën.
“Produktet nuk krijojnë ikona. Ikonat krijojnë emocione. Ikonat i lidhin markat me njerëzit. Dhe sot, një ikonë po kthehet. Po, Deux Chevaux është rikthyer”, deklaroi ai.
Bëhet fjalë për rikthimin e Citroën 2CV, të njohur edhe si “Spaček”, një nga modelet më ikonike në historinë e automobilizmit evropian.
Modeli i ri do të jetë plotësisht elektrik dhe do të jetë pjesë e strategjisë së Stellantis “FaSTLANe 2030”, duke u pozicionuar në segmentin e automjeteve më të përballueshme në treg.
Çmimi i synuar pritet të jetë rreth 15 mijë euro. Ndërkohë, fotografia e parë zyrtare e modelit është publikuar, edhe pse e errësuar dhe pa zbuluar shumë detaje. Megjithatë, ajo lë të kuptohet se dizajni do të ruajë linjat karakteristike historike të 2CV-së origjinale.

Referenca ndaj modelit kult është e qartë, por e kombinuar me elemente moderne të dizajnit dhe teknologjisë.
Vetura e re pritet të prezantohet zyrtarisht në panairin e vjeshtës së automobilave në Paris.
2CV i ri ndjek filozofinë e paraardhësit: një automjet i thjeshtë dhe i përballueshëm për masën, por me një dallim thelbësor – do të jetë plotësisht elektrik.
Sipas planeve aktuale, modeli pritet të dalë në treg në vitin 2028 dhe do të prodhohet në fabrikën e Stellantis në Pomigliano, Itali.
Ky nuk do të jetë i vetmi model me frymë retro në gamën e re të grupit. Fiat gjithashtu do të përdorë të njëjtën platformë për të rikthyer një tjetër ikonë të tij – Panda origjinale me dizajnin “katror” të viteve ’80.
Të dy modelet do të prodhohen në të njëjtin impiant, duke shfrytëzuar një qasje të përbashkët teknologjike dhe industriale. /Telegrafi/








































