LAJMI I FUNDIT:

Kosova, vendi i mundësive të mëdha

“Duhet ndryshuar rrjedha e ngjarjeve. Për këtë duhet ndryshuar shpirti i njerëzve” (Zhan Mone).

Kosova vërteton edhe njëherë se si vend “sui generis” që është, në të ndodhin shumë çudira. Me siguri zonja Atifete Jahjaga as që e kishte menduar ndonjëherë, madje as në ëndrrën e saj më të madhe, se që nga prilli 2011 ajo do të ishte Presidente e Republikës së Kosovës . Por, jeta është e mbushur me plot befasi dhe sa çel e mbyll sytë ëndrrat për pushtet në vendin tonë mund të bëhen realitet.


E ardhur si Presidente, jo nga dëshira dhe vullneti i lirë i popullit, po nga një marrëveshje politike e tri partive – PDK, AKR dhe LDK – Jahjaga edhe pse e papërvojë, pranon postin e ri të saj që mbi vete mbanë përgjegjësi të mëdha.

Me afrimin e afatit në bazë të së cilit Presidentja duhet të largohet nga karrigia e saj, ajo tregon edhe njëherë tregon trimërinë e saj prej një dukagjinase të vërtetë dhe merr edhe një hap tjetër shumë të guximshëm në karrierën e saj: vendosë që ta dërgoj çështjen e saj në Kushtetuese, nga ku del edhe fitimtare.

Tashmë, sipas gjitha gjasave, do të mbetet Presidente edhe për një kohë të caktuar, e mu këtu qëndron edhe problemi më i madh në këtë mesele. Në momentin kur para Kosovës është edhe një proces tjetër i ri dhe shumë i vështirë i negociatave, i cili pavarësisht shumë zërave kundërshtues, duket se do të ndodhë.

Ky proces i dialogut është i një rëndësie të veçantë për Kosovën, pasi do të mund të shihet si mjet për tejkalimin e shumë problemeve që ka Kosova në raport me fqinj e saj Serbinë. Si proces i rëndësishëm që do të jetë, do të bartë mbi vete përgjegjësi të mëdha mbi supet e atij që do ta marrë përsipër këtë proces.

Presidentja e tanishme është shprehur disa herë se është e gatshme të takohet me presidentin serb Tomislav Nikoliq, një politikan ky i regjur dhe i mësuar me disfata që ka treguar se di të jetë shumë këmbëngulës.

Me momentin e fillimit të këtij procesi të dialogut, Kosova do të jetë e hendikepuar qysh në fillim, nga fakti se ajo nuk ka një President të zgjedhur nga votat e popullit. Madje, Kosova ka edhe një qeveri të dalë pas një procesi të diskutueshëm të zgjedhjeve.

Ndërkohë, populli dita ditës po humb besimin në institucionet dhe politikanët e vendit, përjashtuar këtu gjykatën Kushtetuese. Ajo që i nevojitet më së shumti vendit tonë për momentin është rikthimi i besimit në këto institucione, e kjo mund të arrihet vetëm përmes një procesi të ri të zgjedhjeve, i cili do të ishte i pastër dhe korrekt.

Për të ardhur deri te kjo pikë, duhet të ndryshohet shpirti i njerëzve. Në mënyrë që të ndryshohet kjo rrjedhë negative e ngjarjeve në Kosovë, duke u bazuar në këtë dhe guximin e madh të presidentes, shoh se hapi i ardhshëm i guximshëm që do të ndërmerr ajo do të ishte shpallja e zgjedhjeve presidenciale, në të cilat do të garonte vetë ajo, e ku ka gjasa edhe të fitojë.

Dihet se populli ynë karakterizohet me veçorin e besës dhe mbrojtjes së fjalës së dhënë. Andaj, në këtë rast fjala e dhënë dhe marrëveshja e bërë dhe e prezantuar para qytetarëve, duhet mbajtur dhe realizuar.