Kombëtarja e Kosovës U21 e ka humbur miqësoren e parë të këtij muaji ndaj Turqisë, duke u mposhtur me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e zhvilluar në Stamboll.

Futbollistët e udhëhequr nga përzgjedhësi Hekuran Kryeziu u ndëshkuan në fund të takimit, kur qendërmbrojtësi Salih Malkoçglu, që luan te Trabzonspori, realizoi golin e vetëm të ndeshjes.


Malkoçglu shënoi në minutën e 82-të, pas një gjuajtjeje të saktë me kokë, duke e mposhtur portierin e Prishtinës, Altin Gjokaj.


Miqësoren e radhës, Kosova U21 do ta luajë të shtunën ndaj Luksemburgut. Ndeshja zhvillohet nga ora 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Pas këtyre miqësoreve, Kosova U21 do ta kthejë fokusin te ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian. Më 24 shtator, Kosova luan në udhëtim ndaj San Marinos, ndërsa më 30 shtator e pret Qipron në Prishtinë.

Ndeshjen e fundit kualifikuese, Kosova U21 e zhvillon më 6 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Finlandës.

Kosova U21 aktualisht është e katërta në Grupin A me tetë pikë. Spanja kryeson me 21 pikë, ndërsa Finlanda është e dyta me 16 pikë. /Telegrafi/

telegrafi sport app