Kosova vazhdon të shkaktojë tronditje në arenën evropiane, këtë herë duke sjellë ndryshime të mëdha në Kombëtaren e Suedisë.

Pas humbjes 1-0 në Goteborg ndaj “Dardanëve”, Federata Suedeze e Futbollit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Jon Dahl Tomasson, duke e bërë atë trajnerin e parë në historinë e Suedisë që humb postin në këtë mënyrë.


49-vjeçari danez largohet pas pak më shumë se një viti e gjysmë në detyrë, periudhë gjatë së cilës arriti disa suksese, përfshirë fitimin e grupit të Ligës së Kombeve (Divizioni C) në vjeshtën e vitit 2024.

Megjithatë, rezultatet zhgënjyese në kualifikueset e Kupës së Botës kanë qenë vendimtare për fatin e tij.

Pas dy humbjeve radhazi ndaj Kosovës dhe vetëm një pikë nga katër ndeshje në grup, bordi i Federatës mbajti një mbledhje urgjente, ku u vendos për shkarkimin e Tomassonit.

telegrafi.com

Lajmi u konfirmua nga “Aftonbladet”, ndërsa sipas raportimeve, drejtori i futbollit Kim Källström ua ka komunikuar vendimin lojtarëve të kombëtares përmes telefonit.

Pas ndeshjes me Kosovën, ku Fisnik Asllani shënoi golin e vetëm në fund të pjesës së parë, Tomasson kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen, duke theksuar se ishte ende në mes të kualifikimeve. P

or presioni i madh dhe rezultatet zhgënjyese e bënë të pamundur qëndrimin e tij.

Tashmë Suedia do të përballet me një situatë të ndërlikuar: dy ndeshje të mbetura ndaj Zvicrës dhe Sllovenisë në nëntor, dhe një shans minimal për kualifikim direkt, ndërsa play-off-i në pranverë mbetet si mundësi e fundit.

Fitorja e Kosovës në Göteborg nuk ishte vetëm një sukses historik për “Dardanët”, por edhe një fitore që solli pasoja të mëdha për rivalët nordikë, duke i kushtuar Suedisë trajnerin e saj kryesor. /Telegrafi/