LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Gjilanit mbështet kërkesën për lirimin e bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023

Komuna e Gjilanit mbështet kërkesën për lirimin e bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Komunës së Gjilanit, në mbledhjen e sotme, nën drejtimin e Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, i ka dhënë mbështetje rekomandimit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik për lirimin e bizneseve nga taka komunale për vitin 2023.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në takim u tha se lirimi i bizneseve nga taksa komunale, në këtë kohë të krizës globale, e cila ka përfshirë edhe vendin tonë, do të ndikojë në përballimin e situatës së krijuar dhe përmirësimin e klimës në ekonominë lokale.


“Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik vlerëson se kriza ka paralizuar sektorët jetikë të ekonomisë, si transportin, ndërtimin, shërbimet në fushën e hotelerisë, gastronominë, prodhimin si dhe sektorë të tjerë kyç në zhvillimin ekonomik lokal.

Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe planin lokal të veprimit për barazi gjinore 2024-2026, planin e punës të ekipit për të Drejtat e fëmijëve 2024-2026, sikurse edhe propozim vendimin për miratimin e Planit të punës të Kuvendit për vitin 2024 si dhe orarit të mbledhjeve të rregullta të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2024”, thuhet në njoftim.

Njëherësh, KPF ka analizuar dhe rekomanduar për Kuvend edhe propozimin për përcaktimin e vlerës së qirasë dhe bonuseve të banimit në dy programe sociale.

“Për Kuvend u rekomanduan edhe raporti i Komisioni për dezinfektim, raporti i komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave, raporti i Komisionit për ndarjen e bursave për studentë si dhe propozimi për funksionalizimin e punës së Komiteteve, të cilat u vlerësuan të nevojshme për funksionimin sa më të mirë të Kuvendit.

Përkrahjen e KPF-së e mori edhe kërkesa e Hendikosit për ndihmë, ndërkaq propozimet e përfaqësuesit të LDK-së sa i përket nominimeve për çmimet “Qytetar Nderi” dhe “Nderi i Qytetit’ u rekomanduan në komisionin përkatës për shqyrtim dhe vlerësim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/