Kolumbia vazhdon me fitore, mposht edhe Kongon dhe kalon në fazën tjetër


Kombëtarja e Kolumbisë ka regjistruar fitoren e dytë në Kupën e Botës, duke mposhtur Kongon me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e raundit të dytë të Grupit K. Heroi i takimit ishte Daniel Munoz, i cili shënoi golin e vetëm në minutën e 76-të, duke rikthyer kolumbianët në krye të grupit me gjashtë pikë, dy më shumë se Portugalia.
Ndeshja nisi me një rast të mirë për Kongon, por pas kësaj Kolumbia mori kontrollin e plotë. Daniel Munoz humbi një mundësi të shkëlqyer në minutën e pestë, ndërsa vetëm dy minuta më vonë iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.
James Rodríguez dhe Luis Diaz provuan disa herë nga distanca, por portieri Mpasi Nzau ishte në nivel të lartë dhe mbajti rezultatin e bardhë në pjesën e parë.
Kolumbia vazhdoi dominimin edhe pas pushimit. Luis Diaz dhe Jefferson Lerma iu afruan golit në minutën e 50-të, por sërish Nzau u tregua vendimtar. Nga ana tjetër,Kongo rrallë arriti të rrezikonte portën kundërshtare.

Rezistenca e afrikanëve u thye në minutën e 76-të, kur pas një aksioni të ndërtuar mirë, topi përfundoi te Daniel Munoz, i cili me një goditje të saktë nga e djathta mposhti portierin kundërshtar për 1:0.
Vetëm pak çaste më vonë, Luis Diaz mendoi se kishte vulosur fitoren me dy gola të shpejtë, por të dy u anuluan. Në minutën e 79-të, gjyqtari Maurizio Mariani sinjalizoi faull në sulm, ndërsa një minutë më vonë sulmuesi kolumbian u ndëshkua për pozicion jashtë loje.
Me këtë fitore, Kolumbia ngjitet në vendin e parë të Grupit K me gjashtë pikë dhe siguron kalimin në fazën e eliminimit direkt, ndërsa Kongo mbetet në vendin e tretë me vetëm një pikë. /Telegrafi/











































