LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet garanci, që mjetet e Trustit të mos humbin: Çfarë synon Qeveria, me kursimet e qytetarëve? (Video)

Kërkohet garanci, që mjetet e Trustit të mos humbin: Çfarë synon Qeveria, me kursimet e qytetarëve? (Video)

Javën që shkoi, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për Fondet Pensionale. Por, ende nuk është e qartë se cilat do të jenë ndryshimet që sjell ky projektligj.

Një pjesë e madhe e shoqërisë civile e quajtën këtë projektligj si një tentative të Qeverisë për të futur në dorë fondet e Trustit. Për këtë, Tribuna Channel ka shqyrtuar dokumentin dhe ka kuptuar se ndryshimet kryesore që sjell ky projektligj kanë të bëjnë me zgjatjen e mandatit të bordit nga tre në katër vjet, përfshirë bordin ekzistues; heqjen e kufizimit vjetor për investime në bono të Qeverisë që lejon investim më të shpejtuar të mjeteve të Trustit në Kosovë; lehtësimin e kritereve për investime jashtë vendit, si dhe transferimin në llogari të Qeverise të një shume të caktuar të kontributeve për të cilat nuk dihet titullari.


Kjo e fundit nga shumë analistë u komentua si tentativë e Qeverise për të futur duart në kursimet pensionale të qytetarëve.

Në pyetjen dërguar Trustit se për çfarë shume po bëhet fjalë, ata janë përgjigjur se “fjala është për një ndryshim ligjor që vije nga Kuvendi i Kosovës , i cili është edhe organi që e ka themeluar, mbikëqyr dhe e udhëheq Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës nëpërmes Bordit Drejtues”.

Mirëpo, jozyrtarisht, nga burimet e veta Tribuna Channel mëson se bëhet fjalë për një shumë prej rreth shtatë milionë euro, dhe në fakt kërkesa për transferim të mjeteve ka ardhur nga vetë Trusti të cilët nuk kanë bazë ligjore të mbajnë mjete pa titullar.

Projektligji parasheh që në rast se titullari i mjeteve lajmërohet, Qeveria është e obliguar që t’ia kthejë mjetet Trustit.