eksperti ad

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Raportin Vjetor për vitin 2025, duke vlerësuar se ekonomia dhe sistemi financiar i vendit kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë, pavarësisht sfidave nga mjedisi ekonomik dhe gjeopolitik ndërkombëtar.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës shënoi rritje reale prej 3.6 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni arriti në 3.9 për qind. Borxhi publik mbeti në nivel të ulët, 16.4 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV), ndërsa remitencat dhe investimet e huaja direkte vazhduan të mbështesin aktivitetin ekonomik.


BQK njofton se asetet e sistemit financiar arritën në rreth 14.6 miliardë euro, ndërsa sektori bankar ruajti kapitalizim dhe likuiditet të lartë. Kreditë u rritën në 6.7 miliardë euro, ose 14.7 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë, ndërsa norma e kredive joperformuese mbeti rreth 2 për qind.

Në raport theksohet se gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë masa për forcimin e stabilitetit financiar, përfshirë avancimin e kornizës makroprudenciale, rritjen e kontributeve në Fondin e Sigurimit të Depozitave dhe intensifikimin e mbikëqyrjes së institucioneve financiare. BQK realizoi gjithsej 30 ekzaminime në sektorin bankar, të sigurimeve, pensioneve dhe institucioneve mikrofinanciare e jobankare.

Në fushën e pagesave, Sistemi Ndërbankar i Pagesave (KIPS) procesoi mbi 21 milionë transaksione me vlerë më shumë se 27 miliardë euro. Gjatë vitit u zgjerua përdorimi i pagesave elektronike, përfshirë Apple Pay dhe Google Pay, ndërsa Kosova avancoi procesin e anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe projektin për pagesa të menjëhershme TIPS Clone në bashkëpunim me Bankën e Italisë.

BQK gjithashtu miratoi rregulloren e parë për kripto-asetet, lansoi platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, ndërsa nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane për mbrojtjen e integritetit të valutës euro në Kosovë. Po ashtu, gjatë vitit u tërhoqën nga qarkullimi rreth 170 mijë kartëmonedha prej 500 eurosh, në kuadër të masave për formalizimin e ekonomisë.

Në aspektin ndërkombëtar, BQK siguroi vazhdimin e linjës së likuiditetit EUREP prej 100 milionë euro nga Banka Qendrore Evropiane, ndërsa agjencia Fitch Ratings konfirmoi vlerësimin kreditor sovran të Kosovës "BB-".

Raporti përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së, të cilat morën opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm. Sipas raportit, BQK realizoi fitim prej 24 milionë eurosh gjatë vitit 2025, ku gjysma e tij është transferuar në buxhetin e Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër është ndarë për rezervat e institucionit.