eksperti ad

Shënime nga ecjet në Zvicër (2).

Madhështia e tij, Liqeni i Luzernit në gjermanisht quhet Vierwaldstättersee (që i bie Liqeni i Katër Kantoneve Pyjore): këtu, sipas legjendës, është zemra e Zvicrës. Mite, histori, legjenda, dokumente me rëndësi - në këtë zonë gjenden.


Ditë më parë ecja në këtë trevë filloi në fshatin Flüelen, buzë liqenit, dhe vazhdoi buzë liqenit deri në katundin Morschach, ku njerëzit e shtynin kohën me verë të bardhë, birrë e pije të tjera në pritje të ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Katarit.

Shtegu mund të zgjatet e shkurtohet sipas dëshirës, sot i kalova nja 15 kilometra, për 4 orë. Panorama është mahnitëse, shtegu i rregulluar me kujdes, me banka për pushim, aty-këtu me shkallë prej druri.

Këndejpari, në qytezën e Schwyzit, gjendet muzeu Bundesbriefmuseum, ku ruhet karta origjinale e pavarësisë; ajo daton nga viti 1291, kur përfaqësues të tri kantoneve (Uri, Schwyz, Unterwalden) i dhanë besën njëri-tjetrit për të qëndruar bashkë dhe të lirë përgjithmonë.

Pas nja dy orë ecjeje shfaqet fshati i bukur Sisikon, ndërsa përballë, matanë liqenit, është livadhi Rütli, bari më i shenjtë i Zvicrës - në atë livadh ishte dhënë besa për të hedhur themelet e Zvicrës më 1291.

Në gjermanisht emri zyrtar i Zvicrës është Schweizerische Eidgenossenschaft - në shqip mund të përkthehet si Besëlidhja Zvicerane.

Tre kilometra para Sisikonit ofrohet një rast për t’u futur thellë në historinë e vendit. Aty gjendet Tellskapelle, Kishëza e Wilhelm Tellit, heroit nacional zviceran, për të cilin nuk ka dëshmi se ka ekzistuar. Por për çka ekziston letërsia?

Klasiku gjerman Friedrich Schiller e ka përjetësuar Tellin në një dramë. Katër murale të Tellskapelle shpjegojnë historinë zanafillore të Zvicrës. Telli refuzoi t’i përulej kapelës së guvernatorit austriak Gessler (murali i parë), i cili, si ndëshkim, e detyroi atë të qëllonte me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të tij (murali i dytë).

Telli bëri një gjuajtje të përsosur, por pranoi se shigjetën e dytë e kishte ruajtur për të vrarë tiranin nëse djalit do t’i ndodhte gjë. Sundimtari i huaj, Gessleri, urdhëroi arrestimin e Tellit.

Ndërsa po e bartnin me një varkë mbi liqen, shpërtheu një stuhi dhe rojet ia dhanë drejtimin e varkës Tellit, i cili ishte lundrues me përvojë.

Telli përfitoi nga rasti, kërceu mbi një shkëmb dhe iku, por më parë ia dha një shkelm varkës, duke i lënë ata që e arrestuan në mes të stuhisë liqenore (murali i tretë).

Në muralin e katërt shihet livadhi Rütli. Telli nuk e la me kaq pasi shpëtoi. Ai i zuri pritë Gesslerit në një rrugicë të ngushtë malore dhe e vrau me shigjetë.

Më 2024 regjisori nga Irlanda e Veriut, Nick Hamm, solli në kinema filmin „Wilhelm Tell“, një version i hollivudianizuar i mitit zviceran. Edhe në film Telli e qëllon mollën me shigjetë. Por para se të bëjë këtë akt heroik, ai, sipas regjisorit, ka një të kaluar si pjesëmarrës në kryqëzata.

Është i martuar me një myslimane (arabe), të cilën e ka shpëtuar bashkë me djalin e saj. Pas kthimit në Zvicër djali pagëzohet me emrin Walter.

Tani ndokush mund të pyesë: e si kanë qenë reagimet në Zvicër? A pati një fushatë zemërimi? A pati mallkime ndaj regjisorit, i cili heroin nacional zviceran e martoi me një arabe? A pati fushatë linçuese? Përgjigjjja: jo, asgjë nga këto. Arti është art. Dhe arti ka të drejtë të merret me interpretime dhe me provokime.

Nuk besoj që një regjisor i huaj apo edhe shqiptar do të shpëtonte lehtë nga mllefi kolektiv patriotik shqiptar sikur të bënte një film për Skënderbeun, i cili është i martuar me një afrikane, të birin e së cilës heroi kombëtar shqiptar e birëson. /Telegrafi/