LAJMI I FUNDIT:

Keremedçiev: Me largimin e Maqedonisë nga BE-ja, ajo po i afrohet orbitës ruse

Keremedçiev: Me largimin e Maqedonisë nga BE-ja, ajo po i afrohet orbitës ruse

Strukturat në Bullgari dhe Maqedoni që përkeqësojnë marrëdhëniet dypalëshe midis të dyja vendeve punojnë në favor të interesave ruse – ky është vlerësimi i analistit bullgar, dhe ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme Milen Keremedçiev. Në një deklaratë për Alsat, Keremedçiev komentoi se shërbimet ruse po punonin në të dyja vendet, për të penguar integrimin evropian të Maqedonisë. Ai thotë se Moska e bën këtë nëpërmjet presionit politik dhe diplomatik, si dhe nëpërmjet shërbimeve të saj.

“Kjo mund të shihet, dhe nganjëherë deklaratat e disa politikanëve maqedonas dhe bullgarë shpesh lidhen me gjuhën e urrejtjes, e cila është në fushën e interesave ruse. Për shkak se sa më shumë që Maqedonia e Veriut është larg nga perspektiva dhe parimet evropiane, aq më afër është orbitës së Rusisë, dhe mund të bëhet kali i dytë i Trojës në Ballkan, pas Serbisë.” – Milen Keremedçiev – ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë.


Sipas Keremedçiev, shërbimet ruse veprojnë në disa nivele në vendet e interesit të tyre. Si shembull, ai vuri në dukje se vitin e kaluar, Sofja zyrtare dëboi kuzhinierë dhe mësues nga Ambasada Ruse në Sofje, për aktivitete të inteligjencës, kështu që prifti rus Vasian Zmeev, i cili gjithashtu u dëbua nga Maqedonia dhe Bullgaria, nuk do të bënte përjashtim. Keremedçiev thotë se Kisha Ruse, mbështet fuqimisht shtetin për sa i përket luftës në Ukrainë dhe përgjithësisht në mbarë botën, kështu që nuk është e pazakontë që ajo tu japë informacione shërbimeve. Megjithatë, siç shtoi analisti, faktorët si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari tani janë pjekur dhe po punojnë për dëbimin e personave të tillë.

“Maqedonia e Veriut ka marrë një rrugë drejt integrimit evropian, e cila do të ishte shumë e vështirë për t’u ndryshuar, por në të vërtetë përpjekjet janë shumë të forta dhe për mendimin tim, ato do të jenë edhe më të forta në të gjitha nivelet, jo vetëm në nivelin e kishave.” – Milen Keremedçiev – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Më 12 shtator, Maqedonia dëboi tre diplomatë rusë, si dhe një prift rus që kishte vepruar si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari. Autoritetet vendase nuk ndanë më shumë detaje në lidhje me dëbimin e priftit rus. Ndërsa për diplomatët u theksua se “ata u përpoqën ose donin të ndërhynin në interesat strategjike dhe kombëtare të vendit tonë”. Pas Shkupit, priftin rus e dëboi edhe Sofja. /alsat.mk