ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e masave parandaluese gjatë sezonit veror, Njësia për Reagim të Shpejtë ( NJRSh), në mbështetje të njësive të tjera policore, vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme në zonën e Skenderajt ka realizuar një sërë aktivitetesh operative, të cilat kanë rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e armëve, mjeteve të ftohta dhe gjësendeve të tjera të kundërligjshme.

Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë kontrolleve të automjeteve në trafikun rrugor dhe personave të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri, tetë thika, një radiolidhje, një maskë, tri shufra metalike, si dhe gjësende të tjera për të cilat dyshohet se janë përdorur ose kanë qenë të destinuara për kryerjen e veprave penale.


"Lidhur me këto raste, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, janë intervistuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale, në koordinim me prokurorët kompetentë. Policia, apelon te qytetarët që të vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë, duke raportuar çdo rast të dyshimtë përmes numrit emergjent 192, aplikacionit mobil "Lajmëro Policinë", ose përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com", thuhet në njoftim. /Telegrafi/