LAJMI I FUNDIT:

Kërcënimet bërthamore që mbajnë peng botën

Kërcënimet bërthamore që mbajnë peng botën
Ilustrimi: James Ferguson

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe kurrë nuk duhet të luftohet.” Në fillim të këtij viti, kjo deklaratë e përbashkët u lëshua nga Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe ShBA-ja – pesë shtetet që zyrtarisht kanë armë bërthamore.


Muajin e ardhshëm, Rusia pushtoi Ukrainën. Që atëherë, liderët botërorë janë përballur me kërcënimin se një luftë bërthamore vërtetë mund të zhvillohet – shumë shpejt.

Që në fillim, Vladimir Putini e ka përshkruar konfliktin si ekzistencialist për Rusinë dhe ka lënë të kuptohet se, për të triumfuar, ai mund t’i përdor armë bërthamore.

Pak më shumë se një javë më parë, zyrtarët perëndimorë të sigurisë gjatë fundjavës u vërsulën në zyrat e veta – të alarmuar se akuzat e Moskës se Ukraina është gati ta përdor një “bombë të pistë”, mund të jetë sinjal se vetë Rusia kërkon pretekst për t’i përdorur armët bërthamore.

Edhe pse u zmbraps ajo krizë e menjëhershme, në përgjithësi ende vlerësohet se po shtohet kërcënimi se Rusia do t’i përdor armë bërthamore. Skenari i diskutuar në qeverinë amerikane është se disfata poshtëruese ruse në betejën për Hersonit, mund ta bind Putinin të përdor armë taktike bërthamore kundër trupave ukrainase, në përpjekjen për ta ndryshuar valën në fushën e betejës.

Ndonjëherë është kundërargumentuar se Putini nuk do t’i përdor armët bërthamore afër territorit rus, nga frika e kontaminimit të vendit të vet. Por, zyrtarë e lartë amerikanë theksojnë se armët më të vogla taktike bërthamore mund të vrasin qindra njerëz, në vend të mijërave – dhe të shkatërrojnë dhe rrezatojnë vetëm disa kilometra katrorë.

ShBA-ja dhe aleatët e saj janë të përqendruar në parandalimin e Rusisë që ta bëjë atë hap fatal tej pragut bërthamor – me përzierjen e masave parandaluese dhe të diplomacisë. Por, ata tashmë me të madhe po mendojnë për pasojat globale të përdorimit të armës bërthamore ruse. Ky territor është i panjohur dhe presioni është intensiv. Siç thotë një zyrtar i lartë amerikan: “Në dekadat e ardhshme njerëzit do të studiojnë se si u trajtua kjo krizë.”

Në përgjithësi, ekzistojnë katër skenarë kryesorë që duhen marrë parasysh: normalizimi bërthamor, shantazhi bërthamor, shmangia e luftës dhe Armagedoni.

Nuk është e vështirë të kuptohet se si përdorimi i armës bërthamore ruse mund të çojë në luftë gjithëpërfshirëse bërthamore – duke çuar në atë që vetë Presidenti Biden e ka quajtur “Armagedon”. Uashingtoni ka paralajmëruar se nëse Moska do ta përdor armën bërthamore, do të kishte përgjigje me pasoja “katastrofale” për Rusinë.

Amerikanët publikisht nuk janë shprehur se cila do të ishte ajo përgjigje. Shumë komentues mendojnë se do të ishte ushtarake, jo bërthamore. Gjenerali David Petraeus, ish-kreu i CIA-s, ka folur për forcat e NATO-s që sulmojnë trupat ruse në terren në Ukrainë, me armët konvencionale, dhe se si e fundosin flotën ruse të Detit të Zi.

Argumenti për përgjigje ushtarake perëndimore është se nëse Rusia do të shpëtojë nga përdorimi i armës bërthamore – dhe madje do të kishte sukses në ndryshimin e rrjedhës së luftës – atëherë do të shkatërrohej tabuja bërthamore që është mbajtur që nga viti 1945.

Por, përfshirja e drejtpërdrejtë ushtarake perëndimore ndoshta do të shkaktonte reagim të mëtejshëm rus. Pastaj, Perëndimi dhe Rusia me shpejtësi mund të lëvizin në “shkallët e përshkallëzimit”, duke e bërë dukshëm më të mundshëm makthin e luftës së përgjithshme bërthamore. Siç thotë një zyrtar amerikan: “Nuk mendoj se dikush duhet të jetë i sigurt se ne mund t’i kontrollojmë rreziqet e përshkallëzimit.”

Për shkak se perspektiva e përshkallëzimit të Armagedonit është kaq e tmerrshme, ekziston gjithashtu mundësia reale që edhe përdorimi i një arme bërthamore ruse të mos shkaktojë përgjigje të drejtpërdrejtë ushtarake perëndimore – me ShBA-në, në vend që të përpiqet të organizojë izolimin e plotë ekonomik dhe diplomatik të Rusisë. Por, kjo do ta hapte derën për një të ardhme tjetër shqetësuese: “Normalizimin bërthamor.”

Armët bërthamore do të shfaqen si mjete që mund të përdoren në luftën e agresionit – jo vetëm për parandalim. Rusia, madje edhe Kina, mund të tundohen ta kalojnë përsëri pragun bërthamor. Dhe, shtetet jo-bërthamore – të tillat si Japonia, Koreja e Jugut, Gjermania dhe një mori të tjerash – do të nxitonin të merrnin armë bërthamore për ta mbrojtur vetveten.

Trazirat globale do të pasonin përdorimin e armës bërthamore. Tregjet do të rrëzoheshin dhe publiku në gjithë botën mund të kalonte në panik, me mundësinë e lëvizjes së popullsisë – në shkallë të gjerë – jashtë qyteteve

Frika nga efektet e tilla çon në shtimin e llafeve rreth nevojës për fillimin e negociatave të paqes me Rusinë. Por, zyrtarët perëndimorë tani janë rezistentë ndaj kësaj lëvizjeje, nga frika e një skenari të tretë – shantazhi i suksesshëm bërthamor.

Nëse Rusia zbulon se mund të ketë sukses në luftërat e agresionit, thjeshtë duke kërcënuar se do të përdor armë bërthamore, sinjalizohet një tjetër e ardhme distopike. Çfarë do ta ndalonte Moskën që të bëjë kërcënime të mëtejshme bërthamore, ndoshta duke synuar Evropën Lindore? Dhe, çfarë përfundimesh do të nxirrnin Kina ose Koreja e Veriut, për konfliktet e ardhshme mbi Tajvanin ose gadishullin Korean?

Tre skenarët më të errët – Armagedoni, normalizimi dhe shantazhi i suksesshëm bërthamor – janë që të gjithë shumë më të mundshëm sesa që duhet të jenë. Por, së bashku ato mbeten më pak të mundshme sesa mundësia e katërt – që lufta bërthamore të shmanget.

Në të gjitha krizat e mëparshme bërthamore, që nga viti 1945, liderët e fuqive të mëdha janë tërhequr nga pragu. Njohuria se një lëvizje e rreme mund të shkaktojë miliona vdekje – apo edhe të shkatërrojë planetin – është jashtëzakonisht kthjelluese. Ajo e ka mbajtur botën nga rrëshqitja në konflikt bërthamor, që nga viti 1945. Duhet të funksionojë përsëri. Mbase! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Ligat tjera
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit  - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori